Lajme

Lushtaku: Rrethanat e këtij rasti i konsideroj të montuara kundër meje dhe familjes time

Nuredin Lushtaku

Ish-nënkryetarit të Skenderajt, Nuredin Lushtaku, i dyshuar për sulm ndaj dy zyrtarëve policorë në Skenderaj, në fjalën e tij para gjykatës tha se ky rast është i montuar kundër tij dhe familjes se tij, raporton Betimi për Drejtësi.

“Rrethanat e këtij rasti konsideroj se janë te montuara kundër meje dhe familjes time”, tha Lushtaku.

Ai tha se duke i dëgjuar fjalët e prokurorisë e çudit fakti se si polici po behet viktimë nga prokuroria.

“Me sa unë e di i kanë edhe dy mjete të tjera ose tri, nëse e sheh që po rrezikohet prej masës ose prej dikujt, e fundit është mundësia e përdorimit të armës, nga policet e tjerë e kam parë që kanë përdorë sprej, çka kish ndodhë nëse edhe ata të gjithë i kishin nxjerrë revolet dhe na kishin drejtu neve, kur është nxjerrë revolja ne jemi tut që po vrahemi, masi që ka gjujt polici me revole, secili veprim ka qenë i ndikuar nga frika e te shtënave, dhe për me ja hjeke revolen mos me vra dikon”, ka thënë Lushtaku në gjykatë.

Valon Preteni, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë ka thënë se seanca ndaj Nuredin Lushtakut dhe dy personave të tjerë është duke vazhduar.

Ai ka thënë për Shqip.com se Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve.

Lidhur me këtë rast sipas burimeve të Shqip.com është bërë e ditur se plagosja ndaj dy zyrtarëve policorë në natën e së shtunës dyshohet se është kryer me revole të Policisë.

Po ashtu sipas burimeve të Shqip.com dyshohet se revolja është dorëzuar gjatë ditës së djeshme me ndërmjetësim te ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari.

Për këtë çështje, gjatë ditës Shqip.com ka kontaktuar ish-kryetarin e komunës se Skenderajt, Bekim Jashari por i njëjti ka qenë i paqasshëm.

Në anën tjetër, Artan Qerkini avokat mbrojtës i Nuredin Lushtakut nuk ka pranuar të flasë për këtë çështje duke u arsyetuar se ‘rasti është i ndjeshëm dhe se informacionet do te shpalosen tek organet e drejtësisë./Shqip.com