Lajme

Rasti në Skenderaj: Prokuroria kërkon masën e paraburgimit për 30 ditë, seanca po vazhdon ende

Valon Preteni, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë ka thënë se seanca ndaj Nuredin Lushtakut dhe dy personave të tjerë është duke vazhduar.

Ai ka thënë për Shqip.com se Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve.

Preteni tregoi se seanca për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Lushtakut dhe dy të tjerëve është duke u mbajtur në Gjykatën Themelore dhe pritet të vendoset se çka do të ndodh tutje.

Lidhur me këtë rast sipas burimeve të Shqip.com është bërë e ditur se plagosja ndaj dy zyrtarëve policorë në natën e së shtunës dyshohet se është kryer me revole të Policisë.

Po ashtu sipas burimeve të Shqip.com dyshohet se revolja është dorëzuar gjatë ditës së djeshme me ndërmjetësim te ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari.

Për këtë çështje, gjatë ditës Shqip.com ka kontaktuar ish-kryetarin e komunës se Skenderajt, Bekim Jashari por i njëjti ka qenë i paqasshëm.

Në anën tjetër, Artan Qerkini avokat mbrojtës i Nuredin Lushtakut nuk ka pranuar të flasë për këtë çështje duke u arsyetuar se ‘rasti është i ndjeshëm dhe se informacionet do te shpalosen tek organet e drejtësisë’.