Lajme

Prokuroria kërkon t’i cakohet masa e paraburgimit Nuredin Lushtakut dhe vëllezërve të tij

Ilustrim

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nuredin Lushtaku dhe dy vëllezërit e tij Arif e Faton Lushtaku janë dërguar në mbajtje me urdhër të prokurorit kujdestar të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës.

Lajmin e ka konfirmuar për SHQIP.com, kryeprokurori i kësaj prokurorie Ismet Ujkani.

“Ndaj tre të dyshuarve me inicialet N.L, A.L dhe F.L është paraqitë kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit. Sot pritet të mbahet seanca pranë Gjykatë Themelore në Mitrovicë”, tha Ujkani.

Se sot do të mbahet seanca ndaj tre të dyshuarve për sulmin ndaj dy zyrtarëve të Policisë së Kosovës, e ka konfirmuar edhe avokati, Haxhi Millaku.

Millaku i cili përfaqëson njërin nga të dyshuarit, ka thënë për SHQIP.com se në ora 15:00 pritet të mbahet seanca ndaj tre të dyshuarve.

Lexo edhe:
Sot paraqiten në gjykatë vëllezërit e Nuredin Lushtakut, të dyshuar për plagosjen e policëve në Skenderaj

Theksojmë se Arbër Lushtaku djali i Nuredin Lushtaku është liruar nga Policia e Kosovës pas dëshmisë së dhënë rreth plagosjes së dy policëve në Skënderaj.

Lajmin e ka konfirmuar për SHQIP.com, Durim Osmani, avokat mbrojtës i Arbër Lushtakut.

Osmani tha se klienti i tij ka qenë në cilësinë e dëshmitarit dhe jo të dyshuarit për plagosjen e policëve.

“Arbër Lushtaku ka qenë vetëm dëshmitar i ngjarjes. E ka dhënë dëshminë e tij dhe është liruar për në shtëpinë e tij”, tha Omsani.

Mbrëmjen e 3 korrikut, Arbër Lushtaku dhe xhaxhai i tij, Arif Lushtaku ishin dorëzuar në Policinë e Kosovës.

Lajmin e kishte konfirmuar për SHQIP.com vetë Nuredin Lushtaku.

Lexo edhe:
Lushtaku: Djali dhe vëllai im janë dorëzuar në Stacion të Policisë në Prishtinë

“Kjo informatë nuk është e saktë. Vëllai dhe djali im janë dorëzuar në stacionin policor në Prishtinë” – tha ai duke u treguar i rezervuar për të dhënë detaje tjera rreth dorëzimit të tyre.

Theksojmë se në mesnatën e 2 korrikut, ka ndodhur një përleshje fizike në Skenderaj e cila më pas ka agravuar në gjuajtje me armë zjarri e mjete të forta.

Nga kjo përleshje, të plagosur kanë mbetur dy zyrtarë të Policisë të Kosovës.

Në këtë incident dyshohet të jetë i përfshirë edhe ish-nënkryetari i Skenderajt, Nuredin Lushtaku./Shqip.com