Lokalet rrisin çmimet e ushqimeve– qytetarët ankohen se as uji nuk po shërbehet pa pagesë
Rritja e çmimeve të produkteve ka reflektuar direkt në rritjen e ushqimeve nga lokalet.
Qytetarët që punojnë në kryeqytet shprehen se kjo rritje është vështirë e përballueshme pasi të ardhurat nuk janë rritur.
Për Shqip.com, ka folur qytetari Gani Krasniqi i cili thotë se disa vite jeton në New York dhe çmimet nuk janë më lirë se në vendin ku jeton.
“Është e vërtete që e kanë ngritë çmimin gjë të cilin populli ynë nuk mundet me e përballu. Unë jetoj në New York dhe çmimet këtu, shembull në Prishtinë nuk janë ma lirë se në Amerikë. Se çka ka ndodhur nuk e di por është mëkat për popullin.”, tha Krasniqi.
Tutje Krasniqi tha se janë të përballueshme çmimet me rrogat që kanë kosovarët.
“Është e pa përballueshme me çfarë rrogash marrin këtu, se jeta është e shtrenjtë. Ne nuk mundemi me u krahasuar as me Evropë e as me Amerikë sepse është papunësi e madhe dhe keqpërdorim sa të duash nga ata të cilët e kanë në dorë”.
Megjithatë, qytetari Ilaz Krasniqi mendon se ngritja e çmimeve po ndodh çdo kund në botë.
“Çdo kund në botë është shtrenjtimi, nuk është vetëm tek ne. Dhe atij që donë me punu iu vërsulen të gjithë dhe i thonë ti i ke shtrenjtua çmimet”, tha Ilazi.
Kurse, një qytetar tha se krahas rritjes së çmimeve, lokalet kanë filluar që të mos ofrojnë ujë në shërbim.
“Çmimet e ushqimit dhe pijes i kanë rrit shumë. Pijet janë katastrofë plus kanë nis lokalet edhe ujë mos me të dhënë në këtë të nxehtë. Atëherë duhet me ik veç me pas mundësi me e ndërtuar në hënë një restorant”.
Tahiri propozon të hiqet TVSH-ja për gjashtë muaj për produktet esenciale – SHQIP.com
Rritja e çmimeve është diskutuar edhe nga deputetët në Kuvendin e Kosovës.
Opozita i ka propozuar Qeverisë që të ndërmarrin masa në këtë aspekt.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka propozuar heqjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për gjashtë muaj.
Lekaj: Të hiqet TVSH-ja për produktet bazë dhe të përgjysmohet taksa për derivate për tre muaj
Ndërsa, AAK-ja ka kërkuar heqjen e TVSH-së për tre muaj.
Kurti për propozimin e opozitës për TVSH-në dhe akcizën: Populli nuk jeton tre ose gjashtë muaj
Kundër këtij propozimi ka dalë kryeministri Albin Kurti, i cili ka thënë se kjo ide nuk është e duhura dhe qytetarët nuk jetojnë vetëm tre ose gjashtë muaj.
Ndërsa, në mbledhjen e Qeverisë është miratuar një rregullore përmes së cilës obligohen të gjitha objektet e gastronomisë të ju ofrojnë klientëve ujë të pijshëm përmes i cili rrjedhë nga rubineti.
Kjo rregullore parasheh që të gjithë klientët të kenë qasje në ujë të pijshëm në restorante, kafene dhe bare.
/Shqip.com