Lajme

Lista Serbe dënon aksionin e policisë në Shtërpcë: Serbët do të detyrohen të përdorin të gjitha mjetet për t’u kundërvënë

Lista Serbe ka dënuar aksionin e Policisë së Kosovës në Shtërpcë ku janë konfiskuar kamerat e sigurisë të instaluara nga strukturat ilegale të Serbisë.

Sipas Listës Serbe, aksioni i PK-së ka qenë për të “ngacmuar serbët”.

Ata kanë kërkuar nga institucionet ndërkombëtare që të reagojnë ndaj këtij aksioni.

“Lista Serbe, përveçse dënon gjithçka që po ndodhi sot në Shtërpcë, kërkon që menjëherë të ndalen ngacmimet ndaj serbëve në Kosovë sepse serbët do të detyrohen të përdorin të gjitha mjetet për t’iu kundërvënë këtij lloj provokimi të popullit tonë. Ne kërkojmë gjithashtu reagimin e institucioneve ndërkombëtare dhe mbrojtjen e popullit tonë, nëse ekziston një synim i sinqertë që serbët të mbijetojnë në këto zona, sepse ky është një ndikim i drejtpërdrejtë dhe synim që njerëzit tanë të largohen nga shtëpitë e tyre shekullore nën presion”, thuhet tutje.

Aksioni i Policisë së Kosovës në Shtërpcë

Në mëngjesin se 7 korrikut, Policia ka zhvilluar një aksion në Shtërpcë në objektin e strukturave paralele të Serbisë, në një shkollë në këtë komunë, një pikë postare dhe në objektin e radio Herc.

Lajmin e kishte konfirmuar për SHQIP.com, prokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Rasim Maloku.

Lexo edhe:
Aksioni në Shtërpcë, Maloku: Ish-kryetari Bratisllav Nikoliq është koordinator i strukturave ilegale serbe që i ka monitoruar kamerat

Gjatë aksionit të sotëm për largim të kamerave të sigurisë të strukturave ilegale janë sekuestruar edhe pajisje, materiale e dokumentacione./Shqip.com

Lexo edhe:
Përfundon aksioni në Shtërpcë – nuk ka të arrestuar