Lajme

Kurti takon Varhelyin, përsërit çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar Komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, në margjinat e Forumit Strategjik të Bledit, që po mbahet në Slloveni, ku zyrtarë të Bashkimit Evropian, kryeministra e president të vendeve të ndryshme janë mbledhur për të diskutuar për të ardhmen dhe mundësitë e zgjerimit të BE-së, transmeton Shqip.com.

Në takimin e zhvilluar midis Kurtit dhe Varhelyit, u diskutua gjendja me pandeminë COVID-19 dhe rëndësia që ka për popullin e Kosovës përkrahja nëpërmjet fondeve për përballimin e vështirësive dhe ringjalljen ekonomike.

Kurti përsëriti kërkesën që shtetet anëtare brenda Këshillit të BE-së të marrin sa më parë vendim pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën, derisa falënderoi komisionin për punën që po bën për të bindur vendet skeptike.

Siç bëhet e ditur nga Zyra e Kryeministrit, Kurti njoftoi Varhelyin për angazhimin dhe përkushtimin e Qeverisë për reforma dhe e vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit Evropian në finalizimin e këtij procesi.

Varhelyi theksoi mbështetjen që Bashkimi Evropian do të vazhdojë t’i japë Kosovës në procesin e reformave.

Duke folur për zgjerimin e BE-së, kryeministri tha që shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të trajtohen si anëtarë të ardhshëm të Bashkimit Evropian. /Shqip.com