Lajme

Kurti për dhunimin e 11-vjeçares: KGjK e KPK janë ende në heshtje, shoqëria dhe shteti nuk mund të bartë koston e mospunës së tyre

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar pas arrestimit të pesë personave të dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë.

Ai më këtë rast ka lidhur edhe dorëheqjet që janë bërë në Policinë e Kosovës dhe në Shërbimin Korrektues, ku ka thënë se këto nuk janë të mjaftueshme.

“Nuk mjaftojnë dy dorëheqje. Organet e rendit arritën t’i arrestojnë personat e dyshuar për dhunimin e vajzës 11 vjeçare. Në Policinë e Kosovës janë marrë masa e veprime. Janë shkarkuar zyrtarë të lartë: Drejtori i Policisë Rajonale në Prishtinë dhe Drejtori për Operativë në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës. E Drejtori i Përgjithshëm ka ofruar dorëheqje.

Lexo edhe:
Jep dorëheqje Samedin Mehmeti, drejtor i Policisë së Kosovës pas rastit të dhunimit të 11-vjeçares

Në Shërbimin Korrektues të Kosovës ka dhënë dorëheqje Drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, si akt moral, pasi që njëri nga të dyshuarit për dhunim ka qenë në mbajtje të dënimit në institucione korrektuese për disa vepra penale”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Lexo edhe:
Pas Mehmetit, jep dorëheqje edhe drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve

Ai më tej ka bëre edhe një pyetje në lidhje me moralin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Aktakuza jo të fuqishme të prokurorëve mundësojnë që dhunuesit shpesh të mos ndëshkohen. Gjykatat nuk i gjykojnë rastet e dhunimeve në përputhje me ligjet në fuqi, që parashohin dënime prej më së paku 10 vitesh për dhunë seksuale ndaj personit nën moshën 14 vjeç.

Mijëra qytetarë, të mërkurën, kërkuan shkarkim të gjykatësve që kanë dhënë dënime nën minimalen e lejuar me ligj për rastet e dhunës seksuale, dhe shkarkim të prokurorëve për neglizhencë ndaj këtyre rasteve”.

Ai ka thënë se sot është dita e tretë dhe KGjK e KPK janë ende në heshtje.

“Sot është dita e tretë, ndërsa KGjK e KPK janë ende në heshtje. Asnjë fjalë lidhur me veprimet që do të ndërmarrin”.

Lexo edhe:
Dosja e Prokurorisë: 11-vjeçarja u dhunua në park derisa ishte duke ecur

Kurti ka thënë se koston e mospunës së tyre nuk mund ta bartë shoqëria dhe shteti.

“Është bërë kohë e gjatë me drejtësi selektive e të pabarabartë, barra e rëndë e së cilës bie mbi supet e viktimave, kryesisht gra dhe vajza. Mosndëshkueshmëria ndaj dhunuesve, e edhe ndaj atyre që po i sjellin këto vendime, është e papranueshme. 

Shoqëria dhe shteti ynë, nuk mund të bartin koston e mospunës dhe papërgjegjësisë së prokurorëve e gjyqtarëve”.