Lajme

Kurti në Bled flet për partnerin “e rëndësishëm” dhe “të fortë” të Kosovës

Në Forumin Strategjik në Bled të Sllovenisë

“Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kosovën është shumë i rëndësishëm dhe i fortë”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Forumin Strategjik në Bled të Sllovenisë, ku po merr pjesë bashkë me liderët e tjerë të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Gjithsesi, pjesa më e madhe e fjalimit të Kurtit ka qenë e zhvendosur te zgjerimi i Bashkimit Evropian dhe reformat në vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Reformat duhet të bëhen krahë për krahë me njëra tjetrën”, deklaroi ai.

“Ne besojmë që BE duhet mbrojtur dhe përkrahur, për këtë qëllim duhet të kryejmë reformat në vendet tona, por të njëjtën kohë edhe të ecim me zgjerimin e BE-së”.

Pos reformave në shtetet ballkanike veç e veç, Kurti është shprehur se edhe vetë BE duhet ta ri-modelojë procesin e vendimmarrjes.

Ajo çfarë i duhet BE-së, beson Kurti, janë “një sërë reformash” për të cilat duhen “hapat të guximshëm”.

Meqë vala e ardhjes së refugjatëve afganë ka filluar, Kurti nuk ka lënë pa përmendur as përgjigjen e shpejtë dhe pozitive që Kosova pati ndaj kërkesës ndërkombëtare (amerikane) për ndihmë në këtë proces.

Kryeministri kosovar tha se populli i Kosovës ndihmën për tjetrin e ka të natyrshme dhe burimore, prandaj kur shfaqet nevoja pyetja “pse” as që bëhet, “por, vetëm si”.

Forumi Strategjik Bled (BSF) është një konferencë vjetore ndërkombëtare e organizuar që nga viti 2006. Ajo është pritur në Bled, Slloveni. Qëllimi i tij është të jetë një platformë për të shprehur opinione të kundërta mbi shoqërinë moderne dhe të ardhmen e saj.

Kjo konferencë udhëheqet nga liderë të Evropës Qendrore dhe Juglindore. Forumi është inicuar fillimisht nga Qeveria e Sllovenisë. /Shqip.com