Lajme

Krasniqi për 28 Nëntor: Fitimtarë do të dalim edhe në luftën e fundit për drejtësi

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi me rastin e festës kombëtare të 28 nëntorit ka thënë se fitimtarë do të dalin edhe me luftën e fundit për drejtësi.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi tha se është obligim i tyre për të kultivuar shpresën.

“Gjashtë shekuj përpjekje, luftë, sakrificë, trimëri, guxim, atdhedashuri, bashkim e frymëzim për liri.  Sot, dy shtete e miliona zemra që rrahin shqip në mbarë botën e lirë, të rritur mbi shpatullat e gjigantëve! Fitimtarë, sepse jemi në të drejtën tonë – fitimtarë do të dalim edhe në luftën e fundit për drejtësi.  Sot, obligimi dhe detyra jonë është ta kultivojmë shpresën, të mbajmë zemrën në vendin e duhur, përkushtimin dhe orientimin e pandryshuar – për të ardhmen dhe gjeneratat e reja – në vendet tona”, shkroi Krasniqi.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj janë duke u mbajtur në Hagë si të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në luftën e fundit në Kosovë.

Ndërsa sot, shënohet 110 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë të shpallur nga Ismail Qemaili në Vlorë në vitin 1912.

Po ashtu, sot u mbushën 25 vjet që nga dalja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Llaushë të Skenderajit në krye me komandantin Adem Jasharin i cili kishte lindur në po të njëjtën dite.

Kujtojmë se në nder të festës kombëtare, dje Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë mbajtën mbledhjen e parë të përbashkët.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se 28 Nëntori mbanë në gjirin e vet të gjitha ëndrrat tona kolektive.

Dy kryekuvendarët shqiptarë mbajnë fjalimet e tyre në mbledhjen e përbashkët – SHQIP.com

Konjufca potencoi se Nëntori është i Shqipërisë po aq sa është edhe i Kosovës.

Ndërsa, kryekuvendarja shqiptare, Lindita Nikolla tha se kjo mbledhje shënon rikonfirmimin e thirrjes shpirtërore të vëllazërimit Shqipëri-Kosovë.

Ajo potencoi se mënyra e të menduarit të shqiptarëve duhet të ndryshojë në bazë të realitetit në të cilin ndodhen.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë më shpesh bashkë dhe jo vetëm në kremte.

Mbledhja e kuvendeve shqiptare, Kurti e Rama mbajnë fjalimet e tyre – SHQIP.com

Në këtë mbledhje, Kurti citoi edhe fjalë nga profesori dhe politologu Kosovar, Ukshin Hoti.

“Ai kërkoi nga politikanët shqiptarë që të kenë si prioritet kryesor pozitën  ndërkombëtare të Kosovës e të Shqipërisë dhe jo pozitën vetjake”, tha Kurti.

Kurse, kryeministri shqiptar, Edi Rama tha se nuk beson që shqiptarët janë mirë në raport me vetën e tyre.

/Shqip.com