Lajme

KQZ: Asnjë parti politike nuk ka parashtruar kërkesë për shkurtimin e fushatës zgjedhore

Ilustrim

Asnjë nga partitë politike në Kosovë nuk kanë parashtruar ndonjë kërkesë në Komisionin Qendror Zgjedhor për shkurtimin e periudhës së fushatës për zgjedhjet lokale që mbahen më 17 tetor, përcjell Shqip.com.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, i cili tha se Ligji për Zgjedhjet e parasheh që fushata të mbahet 30 ditë dhe se institucioni që drejton nuk ka ndonjë mundësi ta ndryshojë këtë periudhë.

“Nëse partitë politike parashtrojnë një kërkesë të tillë në KQZ, ne do të trajtojmë kërkesën, kemi Këshillin për çështje ligjore, ku do ta trajtojnë Ligjin për Zgjedhje dhe Ligjin për Parandalimin e Pandemisë dhe do të veprohet përshtatshmërisht. Por, se a do të marrim ndonjë vendim lidhur më shkurtimin e fushatës, mbetet ta trajtojmë, por mundësitë ligjore nuk janë për të marrë këtë vendim”, tha ai për REL.

Radoniqi thotë se KQZ në planin operacional ka për obligim që të zbatojë masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës, për të parandaluar dhe luftuar Coronavirusin në ditën e zgjedhjeve.

“Do të bëhet një plan i detajuar se si do të punohet nga stafi i KQZ-se ditën e zgjedhjeve në mënyrë që të mos të lejohet grumbullimi i njerëzve nëpër vendvotime. Ashtu si ne edhe partitë politike, janë të obliguara të zbatojnë këto masa”, thekson Radoniqi.

Shtyerja e fushatës zgjedhore përmes ndryshimit të Ligjit për Zgjedhje është duke u konsideruar i pamundur nga njohësit e fushës.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se Ligji për Zgjedhjet ku parashihet 30 ditë fushatë, nuk përcakton llojin e fushatës, që domosdoshmërisht të ketë takime publike me qytetarët.

Ai shton se partitë politike, për shkak të situatës së rënduar me Coronavirus, mund të dakordohen që të anulojnë komplet fushatën dhe kjo të bëhet përmes debateve televizive.

“Çfarëdo iniciative tjetër, në formë të ndonjë rezolute apo diçkaje tjetër, nuk do të kishte efektin e njëjtë sikurse ligji, kësisoj do të ishte e predispozuar për të dështuar. Rezoluta nuk ka karakter obligativ prandaj do të ishte problematike”, thekson Cakolli.

Lexo edhe:
Abdixhiku: Thirrjes sime për shkurtim të fushatës zgjedhore nuk iu përgjigj vetëm Kurti

Ndërsa, Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, nuk ka dhënë ndonjë përgjigje për ndonjë kërkesë në KQZ, por tha se për këtë, LDK është në proces të shqyrtimit për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës.

Lexo edhe:
Abdixhiku kërkon unitet politik: Fushata zgjedhore të shkurtohet në 10 ditë

“Është shprehje e vullnetit politik të partive politike në Kuvend dhe angazhim publik, për të mos mbajtur fushatë. Dhe nëse është e nevojshme, pastaj kjo mund të kthehet edhe në vendim të KQZ-se”, tha Gashi.

Për shkak të situatës së rënduar me pandeminë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka propozuar që fushata të shkurtohet në pesë ditë.

Kurse, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se janë dakorduar për shkurtim të fushatës.

Zgjedhjet lokale të 17 tetorit janë zgjedhje të rregullta dhe sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, fushata zgjedhore zgjat 30 ditë, në këtë rast duke filluar nga 16 shtatori deri më 15 tetor./Shqip.com