Lajme

Abdixhiku: Thirrjes sime për shkurtim të fushatës zgjedhore nuk iu përgjigj vetëm Kurti

Kurti i kundërpërgjigjet Abdixhikut për "Pronto 2"

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, thotë se ende nuk ka marrë konfirmim e as pranim të propozimit nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, lidhur me mesazhin e tij publik ku ftoi të gjithë liderët e partive politike për një pakt partiak rreth shkurtimit të fushatës zgjedhore nga 30 ditë në 10 ditë, njofton Shqip.com.

Me anë të një postimi në Facebook, Abdixhiku tha se pas konfirmimit fillimisht nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e më pas edhe nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, përgjigje nuk mori vetëm nga partia më e madhe, kryetarin e së cilës e fton sërish t’i bashkëngjitet kësaj nisme.

“Në orën 11:45, kam marrë përgjigje pozitive, në formë të shkruar, nga Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj; madje me një propozim të ri që fushata të mos zgjasë më shumë se 5 ditë”, ka shkruar ai.

“Në ora 18:00, ndërsa, kam marrë konfirmimin tjetër nga Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, z. Memli Krasniqi, i cili, poashtu ka shprehur gadishmëri për një shkurtim eventual të fushatës zgjedhore. I falëndëroj të dy për përgjigjjet e menjëhershme”.

“Ende nuk kam marrë as konfirmim e as pranim propozimi nga Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, z. Albin Kurti; të cilin e ftoj sërish, t’i bashkëngjitet kësaj nisme e nga aty edhe takimit eventual të të gjithë liderëve për definim formal të paktit në fjalë me gjithë propozimet e deritanishme e të tjerat që mund të vijnë”, njoftoi më tej Abdixhiku.

Ai më tej thotë se hapat e tyre partiakë, shërbejnë në mbarëvajtjen e një procesi zgjedhor demokratik, më 17 tetor, të sigurtë për të gjithë, përgjegjës ndaj të gjithëve. /Shqip.com