Lajme

Abdixhiku kërkon unitet politik: Fushata zgjedhore të shkurtohet në 10 ditë

Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, u ka bërë ftesë publike kryetarëve të tri partive politike më të mëdha në vend, që të shkurtohet fushata për zgjedhjet lokale, nga 30 në 10 ditë.

Duke iu drejtuar Albin Kurtit nga Lëvizja Vetëvendosje, Memli Krasniqit nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Ramush Haradinajt nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Abdixhiku ka bërë thirrje që “t’i kapërcejmë dallimet e të ndërtojmë një pakt zgjedhor”.

“Ta bartim përballjen politike nga terreni ku grumbullojmë zakonisht me qindra e mijëra njerëz përnjëherë, në debate tjera, televizive, përballje digjitale e sociale”, ka shkruar i pari i LDK-së në Facebook.

“Të udhëzojmë të gjithë kandidatët tanë, që çdo aktivitet paraelektoral e elektoral nga sot e deri më 17 tetor, ta bëjmë konform rregullave strikte të përcaktuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës. Pra të kemi njerëz aq sa lejohet, të respektohet distanca, e të respektohen masat e tubimeve të vogla siç udhëzohemi nga ekspertët tanë”.

Këtë kërkesë Abdixhiku thotë se po e bën për shkak të gjendjes së rënduar me COVID-19 në Kosovë.

Në rast të një pajtimi eventual me këtë propozim, sugjeron “ta ftojmë Parlamentin nga pushimi, të aprovojmë një rezolutë në këtë drejtim”.

“E të japim shembull të mirë për vendin, qytetarët tanë e secilin tjetër të përfshirë në këtë drejtim. Në fund, është shëndeti publik, jetët e njerëzve tanë, ajo që mbanë rëndësi. Shpresoj e pres përgjigje pozitive në këtë drejtim. Këtë mesazh do ta pranoni secili edhe në formë të shkruar”.

Zgjedhjet lokale në Kosovë mbahen më 17 tetor./SHQIP.com