Ekonomi

Kosova pritet të marrë përvojat e Kroacisë rreth mësimit dual

Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Zejtare e Kroacisë kanë arritur marrëveshjen e bashkëpunimit, përmes të cilës, mundësohet mësimi dual në vendin tonë.

Kroacia tanimë implementon mësimin dual dhe këtë përvojë do e zbatojnë edhe në Kosovë së bashku me Odën Ekonomike të Kosovës.

“Oda Zejtare e Kroacisë shpreh gatishmërinë e vet, që gjithë përvojën e vet në zbatimin e mësimit dual ta shkëmbejë me kolegët e Odës Ekonomike të Kosovës. Mësimi dual është mjaft sfidues, mirëpo me rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e ekonomisë së një vendi”, tha kryetari i Odës Zejtare të Kroacisë, Dalibor Kratovil.

Nga ana tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, deklaroi se arsimi dhe aftësimi profesional ka një rëndësi të veçantë në zhvillimin e ekonomisë së Kosovës dhe për këtë arsye, Oda Ekonomike e Kosovës do t`i kushtojë vëmendje të veçantë aktiviteteve në zhvillimin dhe zbatimin e mësimit dual në Kosovë.

“Gjithashtu, bazuar në Udhëzimin Administrativ për Mësimin në vendin e punës, Oda Ekonomike e Kosovës do të merret edhe me menaxhimin e të dhënave dhe përfshirjen e bizneseve në mësimin në vendin e punës në Kosovë”, ka deklaruar Rafuna.

Oda Zejtare e Kroacisë dhe Oda Ekonomike e Kosovës do të vazhdojnë me takimet bilaterale për të përcaktuar hapat e veprimit të mëtutjeshëm drejt realizimit të mësimit dual në Kosovë.

/Shqip.com