Sport Shqiptar

Klubet e Superligës mblidhen sot, diskutojnë zhvillimet e fundit në FFK

Klubet kosovare të futbollit këtë të martë do të takohen për të diskutuar për zhvillimet e fundit në FFK dhe moslicensimin e kësaj federate nga MKRS-ja.

Klubet e Superligës së Kosovës dhe Ligës së parë në futboll janë shprehur të shqetësuara rreth lajmeve të fundit për kreun e FFK-së, Agim Ademi, të cilit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak për 30 ditë dhe moslicencimin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).

Për të diskutuar rreth këtyre çështjeve, ata do të mblidhen për të zhvilluar një takim këtë të marte.

RTV Dukagjini ka kuptuar se ky takim do të zhvillohet në ora 13:00.

Ndërsa, MKRS-ja ende nuk ka marrë vendim për moslicencimin e FFK-së mirëpo edhe zhvillimet e fundit kanë bërë që të gjitha klubet të mblidhen për diskutim.

Komisioni vlerësues për licencimin e Federatave ka kërkuar dokumente shtesë nga FFK-ja gjatë procesit të licencimit, derisa këta të fundit janë bindur se do t’i plotësojnë edhe dokumentet shtesë dhe do të licencohen mirëpo deri me tani akoma nuk ka pasur asnjë risi në këtë drejtim.

Gjykata Themelore në Prishtinë kishte vendosur ta aprovojë kërkesën e Prokurorisë e cila kishte kërkuar që kryetari i FFK-së, Agim Ademi të dërgohet në arrest shtëpiak për 30 ditë.

Sa i përket kësaj, Dukagjini ka kërkuar qëndrimin e shtëpisë më të madhe të futbollit evropian, UEFA-s.

Ata në një përgjigje, kanë thënë shkurt se janë duke e monitoruar situatën dhe janë në kontakt me Federatën e Futbolli të Kosovës.

/Shqip.com