Lajme

Kërkohet paraburgim për shtatë të dyshuarit për rastin “Subvencioni”, për pesë të tjerë arrest shtëpiak

Arrestimet

Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar paraburgim për shtatë persona të dyshuarit për rastin “Subvencioni”, për pesë të tjerë arrest shtëpiak.

Paraburgim është kërkuar për të dyshuarit Arton Elezaj, Ingrit Kuqi, Liridon Fandaj, Bekim Bruçi, Donard Draga, Rasim Zeqaj dhe Gazmend Avdili, ndërsa masa e arrestit shtëpiak për pesë të tjerë, Sadri Berisha, Dukagjin Deda, Hysni Morina, Ramadan Zeqiraj dhe Afrim Mehmetaj.

Një kërkesë të tillë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ka përpiluar më 29 qershor të këtij viti, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Lexo edhe:
Njëri i akuzuar pranon fajësinë e 13 të tjerë deklarohen të pafajshëm në rastin “Subvencionet 1”

Sipas kësaj kërkese thuhet se disa nga të pandehurit  e lartcekur në cilësinë e personave zyrtar në Ministrinë e Bujqësisë përkatësisht në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, në mënyrë direkte apo te tërthortë kanë kërkuar dhe pranuar ryshfet  në mënyrë që të veprojnë apo të mos veprojnë në pajtim me detyrën e tyre zyrtare ose në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare, raporton Betimi për Drejtësi.

Andaj, sipas PSRK-së, me këto veprime të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas nenit 414 te KPRK-së, “Marrja e ryshfetit” ne bashkëkryerje nga neni 421 i KPRK-se, “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” nga neni 427 i KPRK-se, dhe “Pengimi i te provuarit apo procedurës zyrtare” nga neni 386 i KPRK-se, “Mashtrimi me subvencione” nga neni 324, dhe “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422 i KPRK-se.

Lexo edhe:
Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj 21 personave në aferën “Subvencionet 1”

Tutje në kërkesën e Prokurorisë Speciale thuhet se të pandehurit  tjerë në cilësi të fermerëve me rastin e aplikimit për subvencione kanë paraqitur në AZHB (Ministria e Bujqësisë) të dhëna jo të sakta, duke shtuar sipërfaqet kinse të mbjella me kultura bujqësore apo duke shtuar numrin e krerëve në blegtori dhe duke përdorur kontrata për qira të tokës të falsifikuara dhe fletat poseduese të personave të tretë pa dijeninë e pronareve legjitim të tokave në mënyrë që të plotësojnë kriteret për përfitim të subvencioneve, në shuma më të mëdha se sa që në realitet është dashur te përfitojnë.

‘‘Në disa raste fermerët në fakt nuk kanë pas te mbjellë asgjë dhe prapë kanë arritur të përfitoj subvencione, e të cilat subvencione dyshohet se janë marr përmes dhënies se ryshfetit te personat zyrtare në AZHB të cilët në mënyrë të kundërligjshme i kane futur në listën e përfituesve te subvencioneve’’, thuhet në kërkesë.

Lexo edhe:
Subvencionet: Një muaj paraburgim për 31 të arrestuarit

Muaj më parë janë arrestuar 21 persona si të dyshuar për mashtrime në Ministrinë e Bujqësisë. /SHQIP.com