Lajme

Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj 21 personave në aferën “Subvencionet 1”

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër 21 të pandehurve në rastin e njohur si “Subvencionet I” për veprat penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’  ‘’Marrja e ryshfetit’’ ‘’Mashtrim në detyrë’’ ‘’Dhënia e ryshfetit’’  ‘’Mashtrim me subvencione’’ dhe ‘’Falsifikim i dokumenteve’’.  

“Aktakuza është ngritur kundër 11 të pandehurve si persona zyrtar me inicialet  L.S; S.SH; B.N; H.M; K.Z; H.D; A.B; J.S; L.H; M.N; A.A; S.K. dhe kundër 10 të pandehurve si përfitues të subvencioneve me inicialet  S.S; B.K; F.M; D.M; F.Z; D.K; K.B; A.A; F.N.”

“Të pandehurit me rastin e kryerjes së veprave penale kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme në vlerë 646 mijë e 250 euro, ndërsa vlera e ryshfetit  që kanë përfituar personat zyrtar është 316 mijë e 650.00 euro”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Speciale ka propozuar që të konfiskohet dobia pasurore nga të pandehurit e fituar me kryerjen e veprave penale, e cila kap vlerën e të hollave rreth pesëqind mijë  euro, si dhe të disa veturave.

Ndryshe zyrtar të Ministrisë së Bujqësisë dhe persona të tjerë ishin përfshirë në veprimtari kriminale ku procesi i subvencioneve të dedikuar për bujqit ishte keqpërdorur dhe të akuzuarit kishin përfituar mjete financiare. /Shqip.com