Lajme

Jashari e akuzoi PDK-në për “manipulim”, Nura për Shqip.com: Nuk di ndonjë proces më të rregullt zgjedhor

Fadil Nura

Fituesi i zgjedhjeve në Skenderaj, Fadil Nura, ka thënë se procesi zgjedhor në këtë komunë ka qenë i rregullt.

Një në një prononcim për Shqip.com, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, iu kundërpërgjigj rivalit lokal, Bekim Jasharit – i cili ka aluduar në parregullsi.

Nura tha se “Ideali” i ka pasur komisionarët e vetë në çdo qendër të votimit.

“Diferenca është shumë e thellë, nuk e di nëse ka pasur proces më të rregullt ndonjëherë”, pohoi Nura.

Por, të dielën Bekim Jashari kishte shkruar në Facebook, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi rezultatet në të cilat Nura mori 57.99 për qind të votave, ndërkaq Bekim Jashari 40.60 për qind.

“Idealit dhe Drenicës duket se me manipulime, blerje votash iu vjedh fitorja dhe e ardhmja nga ata që janë pasuruar duke vjedhur Kosovën”, ka pretenduar Bekim Jashari.

Kreu i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari

Mirëpo, në vazhdim, Nura refuzoi të fliste më shumë, pasi tha se ka respekt për familjen Jashari.

Për herë të parë fituesi ishte i njohur pas publikimit të rezultateve.

Që nga paslufta, Partia Demokratike e Kosovës, arrinte t’i fitonte zgjedhjet lokale në Skenderaj me rezultat të thellë.

Këtë parti politike e kishte themeluar Hashim Thaçi – i cili vjen nga Skenderaj.

Themeluesi i PDK-së, Hashim Thaçi.

Por, në vitin 2017, Bekim Jashari shpalli kandidaturën e tij për kryetar të Skenderajt – mori mbështetjen edhe nga PDK, degën e secilës në këtë qytet e drejton Sami Lushtaku.

Me këtë të fundit, Bekim Jashari kishte disa “përplasje verbale”.

Jashari thoshte se  “Lushtaku ka qenë larg nga vijat e frontit”, ndërkaq ky i fundit iu referohej Jasharit veç si “Bekim”, pa mbiemër.

Parajamërim i qartë që garë në Skenderaj do të ketë.

Ashtu dhe ndodhi, Sami Lushtaku e shpalli kandidaturën.

Por, rrugës i doli një problem – dekreti i Gjykatës Kushtetuese që ndalon kandidimin për çdo person të dënuar në tri vitet e fundit.

Më pas, PDK e vendosi Fadil Nurën si kandidat për kryetar.

Kështu, për katër vitet e ardhshme, Fadil Nura do ta drejtojë Komunën e Skenderajt. /Shqip.com

Kryetari i degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku.