Lajme

Hoxhaj takon Lajçakun: Dialogu s’duhet të ketë përfundim tjetër pos njohjes reciproke

Enver Hoxhaj dhe Miroslav Lajçak në Forumin Strategjik të Bledit

Ish-ministri i Punëve të Jashtme njëherësh deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, është takuar me ndërmjetësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në kuadër të margjinave të Forumit Strategjik të Bledit, transmeton Shqip.com.

Këtë takim Hoxhaj e bëri të ditur me anë të një postimi në Facebook, ku ka thënë se me Lajçakun ka diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi për të cilin thotë se duhet të përfundojë vetëm me njohje reciproke.

“Në Forumin Strategjik në Bled të Sllovenisë patëm një diskutim të frytshëm me mikun tim, Miroslav Lajçak. Shkëmbyem ide mbi zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe qëndrime për dialogun Kosovë-Serbi, i cili s’duhet të ketë përfundim tjetër pos njohjes së ndërsjellë”, ka shkruar ai.

Në këtë forum, Lajçak gjatë ditës së djeshme është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, takim ky për të cilin Lajçak tha se ishte i rëndësishëm për vazhdimin e dialogut. /Shqip.com