Haxhiu flet për deklaratat e Haki Abazit
Ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka folur lidhur me deklaratat e sotme të deputetit Haki Abazi.
Lidhur me këto deklarata, Haxhiu ka thënë qe para se Abazi të bëjë akuza të tilla është dashur që të shkojë në Prokurorinë Speciale.
“Se pari, para se të dal në konferencë për media dhe të bëjë akuza të tilla, ai është dashur që të shkojë në Prokurorinë Speciale madje nëse ka pasur informacione shtrohet pyetja se pse nuk ka treguar më herët. Unë nuk e di se për çfarë deputeti e ka fjalën, por është jashtëzakonisht e rëndësishme ta njoftoj Prokurorinë Speciale, të bashkëpunojë me Prokurorinë Speciale dhe të mos mundohet të fshihet mbrapa imunitetit prej deputeti”, tha Haxhiu.
Haxhiu thotë se ashtu siç e ka raportuar rastin e zhdukjes së mostrave, organeve të drejtësisë iu ka dhënë edhe të gjitha informacionet që ka.
“Siç e keni parë, unë dhe zëvendësi im kemi dhënë deklarata në institucionet e drejtësisë përkatësisht në Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë për të gjithë informacionet që në kemi. Ky rast është raportuar nga unë menjëherë sapo jam njoftuar nga drejtoresha e laboratorit”.
Tutje, Haxhiu tha se është e gatshme t’i përgjigjët drejtësisë në rast që thirrët për këtë çështje.
“Unë çdo herë jam e gatshme të i shërbej drejtësisë dhe sa herë institucionet e drejtësisë na thërrasin lidhur me këtë, ne do t’i përgjigjemi”.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj ka thënë se do ta intervistojnë deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me pretendimet tij për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.
Isufaj tha për Shqip.com se intervistimi i Haki Abazit do të bëhet javën tjetër.
“Po, do t’i marrim të gjitha veprimet e nevojshme ligjore. Haki Abazin do ta intervistojmë javën tjetër lidhur me pretendimet, por, për personat e përmendur nga Abazi nuk do t’i ftojmë tani”, tha Isufaj.
Kujtojmë se sot, Abazi ka folur lidhur me video incizimet për të cilat ka paralajmëruar në ditën e djeshme pas pretendimeve se kryeministri Albin Kurti ka dhënë urdhër në Kuvend që të bëhet shkarkimi i tij.
Përmes një konference për media, Abazi ka thënë se duhet të kërkohen këto video-incizime që të konfirmohet se kush i zhduku mostrat e Astrit Deharit.
“Video-incizimet janë ato që ju duhet t’i kërkoni për të konfirmuar se kush ka zhdukur mostrat e rastit Dehari. Hulumtimi im i fundit, pyetjet e mija që kam shtru, diskutimet që kam bërë me njerëz përgjegjës kanë sjellë tek shkarkimi brenda LVV-së. shkarkimi është minor kundrejt borxhit që kem për ta sqaruar deri në fund se çfarë ka ndodhur me rastin Dehari. Si është e mundur që në pushtetin e LVV-së të zhduken mostrat e Astrit Deharit dhe Kurti të mos thotë asnjë fjalë të vetme për këtë gjë. Kamerat nuk mund të gënjejnë se çfarë kanë ndodhur”, tha Abazi.
Abazi përmend edhe emrat të cilët duhet të intervistohen nga Prokuroria.
“Mendoj që prokuroria duhet të marrë në pyetje, Albin Kurtin, Dejona Mihajlin, Albulena Haxhiun, Nazlie Balajn dhe Flutra Gogaj Bajrami. Rasti i Astrit Deharit është shumë i rëndë për tu mbajtur mbi supet e qytetarëve”.
Sipas Abazit, nga kamerat e sigurisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore, dihet qartë se kush ka hyrë dhe ka marrë mostrat e Astrit Deharit.
/Shqip.com