Lajme

Zhdukja e mostrave të Deharit, Isufaj: Do ta intervistojmë Haki Abazin

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj ka thënë se do ta intervistojnë deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me pretendimet  tij për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.

Isufaj tha për Shqip.com se intervistimi i Haki Abazit do të bëhet javën tjetër.

“Po, do t’i marrim të gjitha veprimet e nevojshme ligjore. Haki Abazin do ta intervistojmë javën tjetër lidhur me pretendimet, por, për personat e përmendur nga Abazi nuk do t’i ftojmë tani”, tha Isufaj.

Kujtojmë se sot, Abazi ka folur lidhur me video incizimet për të cilat ka paralajmëruar në ditën e djeshme pas pretendimeve se kryeministri Albin Kurti ka dhënë urdhër në Kuvend që të bëhet shkarkimi i tij.

Përmes një konference për media, Abazi ka thënë se duhet të kërkohen këto video-incizime që të konfirmohet se kush i zhduku mostrat e Astrit Deharit.

Lexo edhe:
Abazi: Duhet t’i kërkoni video-incizimet për të konfirmuar se kush zhduku mostrat e Deharit

“Video-incizimet janë ato që ju duhet t’i kërkoni për të konfirmuar se kush ka zhdukur mostrat e rastit Dehari. Hulumtimi im i fundit, pyetjet e mija që kam shtru, diskutimet që kam bërë me njerëz përgjegjës kanë sjellë tek shkarkimi brenda LVV-së. shkarkimi është minor kundrejt borxhit që kem për ta sqaruar  deri në fund se çfarë ka ndodhur me rastin Dehari. Si është e mundur që në pushtetin e LVV-së të zhduken mostrat e Astrit Deharit dhe Kurti të mos thotë asnjë fjalë të vetme për këtë gjë. Kamerat nuk mund të gënjejnë se çfarë kanë ndodhur”, tha Abazi.

Abazi përmend edhe emrat të cilët duhet të intervistohen nga Prokuroria.

“Mendoj që prokuroria duhet të marrë në pyetje, Albin Kurtin, Dejona Mihajlin, Albulena Haxhiun, Nazlie Balajn dhe Flutra Gogaj Bajrami. Rasti i Astrit Deharit është shumë i rëndë për tu mbajtur mbi supet e qytetarëve”.

Sipas Abazit, nga kamerat e sigurisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore, dihet qartë se kush ka hyrë dhe ka marrë mostrat e Astrit Deharit.

/Shqip.com