Lajme

Abazi: Duhet t’i kërkoni video-incizimet për të konfirmuar se kush i zhduku mostrat e Deharit

Haki Abazi, LVV
Haki Abazi, LVV

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka folur lidhur me video incizimet për të cilat ka paralajmëruar në ditën e djeshme pas pretendimeve se kryeministri Albin Kurti ka dhënë urdhër në Kuvend që të bëhet shkarkimi i tij.

Përmes një konference për media, Abazi ka thënë se duhet të kërkohen këto video-incizime që të konfirmohet se kush i zhduku mostrat e Astrit Deharit.

“Video-incizimet janë ato që ju duhet t’i kërkoni për të konfirmuar se kush ka zhdukur mostrat e rastit Dehari. Hulumtimi im i fundit, pyetjet e mija që kam shtru, diskutimet që kam bërë me njerëz përgjegjës kanë sjellë tek shkarkimi brenda LVV-së. shkarkimi është minor kundrejt borxhit që kem për ta sqaruar  deri në fund se çfarë ka ndodhur me rastin Dehari. Si është e mundur që në pushtetin e LVV-së të zhduken mostrat e Astrit Deharit dhe Kurti të mos thotë asnjë fjalë të vetme për këtë gjë. Kamerat nuk mund të gënjejnë se çfarë kanë ndodhur”, tha Abazi.

Abazi përmend edhe emrat të cilët duhet të intervistohen nga Prokuroria.

“Mendoj që prokuroria duhet të marrë në pyetje, Albin Kurtin, Dejona Mihajlin, Albulena Haxhiun, Nazlie Balajn dhe Flutra Gogaj Bajrami. Rasti i Astrit Deharit është shumë i rëndë për tu mbajtur mbi supet e qytetarëve”.

Sipas Abazit, nga kamerat e sigurisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore, dihet qartë se kush ka hyrë dhe ka marrë mostrat e Astrit Deharit.

“Ne, si shoqëri as si deputetë e qytetarë individual nuk mund të rrijmë të heshtur përballë një procesi të këtillë dhe ne duhet ta kryejmë punën që na takon për ta zbardhur këtë ngjarje deri në fund. IML është i monitoruar 24 orë nga kamerat. Dihet qartë se kush ka hyrë tek frigoriferi dhe ka nxjerrë mostrat të cilat kanë qenë të vendosura nën mostra tjera dhe janë zhdukur”.

Abazi thotë se video-incizimet përfshijnë edhe diskutimet e disa deputeteve të LVV-së lidhur me ‘ngufatjen e zërit të tyre përbrenda parlamentit”

“Në lajmërimin tim mbrëmë kam thënë se do të flasim për video/audio incizimet. Audio-incizimet konfirmojnë diskutimin në mes Saranda Bogujevcit, Mimoza Kusarit dhe Dejona Mihalit për ngufatjen e zërit të deputeteve përbrenda parlamentit”.

/Shqip.com