Lajme

Haradinaj për ngushëllime te familjet e viktimave në Gllogjan: E dhimbshme dhe e padrejtë ajo që ka ndodhur

Haradinaj në vizitë te familjet e viktimave në Gllogjan.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka qenë për vizitë ngushëllimi te familjarët e viktimave që vdiqën mbrëmjen e së premtes në sulmin me armë zjarri ndaj një autobusi në Gllogjan të Deçanit, përcjell Shqip.com.

Haradinaj ka vizituar familjen Mustafaj dhe Hamzaj në Gllogjan, ku u ka shprehur ngushëllime teksa ka theksuar se është e padrejtë dhe e dhimbshme ajo që ka ndodhur, raporton Klan Kosova.

Lexo edhe:
Vrasja në Gllogjan, Prokurorja: Janë intervistuar shumë persona, ka pasur edhe bastisje

“Është e padrejtë kjo që ka ndodh dhe shumë e dhimbshme. Biseduam që nuk kemi me u ndalë duke punuar që të vendoset drejtësia në këtë rast. Njëkohësisht do të punojmë që të forcohet rendi dhe ligji që kurrë askush të mos mundet që të rrezikoj dikë”, ka thënë ai.

Mbrëmjen e së premtes në fshatin Gllogjan të Deçanit, një person ka shtënë me armë zjarri drejt një autobusi, ku kanë mbetur tre persona, kurse një tjetër është plagosur.

Gjendja shëndetësore e nxënësit i cili mbet i plagosur është stabile. I njëjti është operuar gjatë natës në Spitalin e Pejës, ku i është larguar një plumb nga trupi.

Sipas Policisë së Kosovës, dyshohet që vrasja është kryer me kallashnikov “AK-47”, teksa rasti është duke u hetuar si “vrasje e rëndë”.

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, u ka bërë thirrje qytetarëve që nëse kanë ndonjë informacion rreth këtij rasti të bashkëpunojnë me institucionet relevante./SHQIP.com