Lajme

Grenell sërish akuzon Biden: Nuk e ke vëmendjen te Ballkani Perëndimor

Ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi.

Richard Grenell, ish-dërguari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, ka vazhduar ta akuzojë presidentin aktual, Joe Biden se “po e injoron” Ballkanin Perëndimor.

Grenell ka dhënë një intervistë për “Kash’s Corner”, ku ka folur për shumë çështje.

Ai e trajtoi edhe njëherë marrëveshjen e Uashingtonit e arritur më 4 shtator ndërmjet Kosovë e Serbisë.

Grenell ishte aktiv në projektimin e asaj marrëveshjeje, madje shpesh duke u future në polemika edhe me politikanë kosovarë.

“Qenë arritur katër marrëveshje ekonomike dhe tani është shumë e vështirë për mua ta shoh se si ekipi i Bidenit ka dështuar totalisht në Ballkan. Mendoj që s’po i kushtojnë fare vëmendje”.

Lexo edhe:
Kamberi pasi Kosova ndau 2 milionë euro për Luginën: Të hartohet Plani për funksionalizimin e një organi shtetëror

Pos për çështje ekonomike, në atë marrëveshje ishte edhe një pikë; ku për një vit Kosova nuk mund të aplikonte ne organizata ndërkombëtare, ndërkaq Serbia detyrohej ta ndalonte fushatën e “çnjohjeve” për Kosovën.

“Zgjati për atë vit. Dhe më pas në fund të vitit, sivjet, të dyja palët tani po kërkojnë njohje në njërën anë dhe çnjohje në tjetrën, sepse skadoi afati”.

“Ekipi i Bidenit ka mundur lehtë të shihte këtë marrëveshje e të thoshte se çka duhet të rinegociohet apo të mbahet apo se çfarë mund të bëjmë për të përmirësuar. Por askush s’e ka shikuar”.

“Mund të them se duke folur me të dyja palët, askush nga ekipi i Bidenit s’u është afruar për të vazhduar kampanjat. Më e rëndësishmja ka qenë të vazhdohet”, ka thënë Grenell.

Marrëveshja e Uashingtonit.

Marrëveshja ekonomike midis Kosovës, SHBA-së dhe Serbisë në Uashington më 4 shtator 2020

Më 4 shtator, Kosova dhe Serbia ishin para presidentit të atëhershëm, Donald Trump, për të nënshkruar një marrëveshje.

Marrëveshja ishte e karakterit ekonomik, siç kishte thënë edhe Richard Grenell.

Por, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar dy dokumente të ndryshme.

Mirëpo, shumica e pikave ishin të përbashkëta.

Një pikë e veçantë ishte ajo kur Izraeli do të njihte Kosovën.

Në Prishtinë, ratifikimi i asaj marrëveshjeje nuk ka ndodhur ende. /Shqip.com