Lajme

“Jam Taulant Balla, më duhen urgjent 100 mijë euro”, biznesmeni tregon si ra pre e mashtrimit: Mora çantën me para dhe ia dhashë një taksisti

Përshëndetje. Si kalove si je? Jam Taulant Balla. Më duhen urgjent 100 mijë euro”, ky është mesazhi që organizatori i një mashtrimi ia ka dërguar një biznesmeni në Përrenjas.

Oficerët këqyrën telefonin e shtetasit Flamur Rrushi, i cili kallëzoi se një numër në aplikacionin Viber, që identifikohej si ministri i Brendshëm Taulant Balla, e mashtroi.

Sipas burimeve të gazetares Anila Hoxha, u zbulua se posedues i kësaj llogarie është shtetasi me iniciale F.Gj, i cili aktualisht është nën hetim dhe ndaj tij janë dhënë disa masa arresti për të njëjtën skemë mashtruese.

Biznesmeni, sipas kërkesës së mashtruesit, ka ardhur në Tiranë me çantën 100 mijë euro dhe ia ka dorëzuar një taksisti.

Mbajta shënim targat e taksistit”, tha biznesmeni në polici.

Prokuroria e Elbasanit identifikoi taksistin, i cili deklaroi “isha taksist, erdha në Tiranë nga Lezha dhe mora nga Flamur Rrushi çantën. E pyeta fillimisht nëse është gjë e rrezikshme dhe më tha jo. Kur ia dhashë çantën, më dha 100 euro”, tha taksisti, i cili u la i lirë.

Pas mashtrimit dyshohet se fshihet Florjan Gjergji

Florian Gjergji mendohet se fshihet pas mashtrimit të biznesmenit nga Prrenjasi. Ai konsiderohet nga policia e Tiranës si njeriu që ka organizuar në shumë raste skemën e mashtrimit duke u prezantuar përmes emrave të zyrtarëve të lartë, si Edi Rama, Erjon Veliaj dhe jo vetëm.

Prej muajit janar 2023 gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” në mungesë dhe prej më shumë se 1 viti ai nuk është mundur të kapet nga policia e kryeqytetit.

Gjergji, gjatë kësaj kohe është bërë protagonist dhe i dy rasteve të tjera të mashtrimit me shuma të mëdha, raste këto që janë zbuluar nga policia, duke çuar në pranga njerëzit e afërt me të cilët Gjergji ka bashkëpunuar në momentin e tërheqjes së lekëve.

Përmes një mesazhi telefonik i mbëritur në aplikacionin “Signal”, Florian Gjergji, për pak sa nuk ka futur në kurth biznesmenin e ndërtimit Alban Eftimi, person ky i afërt me kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj.

Policia dhe prokuroria e Tiranës, janë në ndjekje të Florian Gjergjit, por s’kanë mundur ta arestojnë.

Përmes kësaj skeme mashtrimi përmes aplikacioneve telefonike nga Janari 2023 e deri më sot, katër biznesmenë janë tentuar të mashtrohen me shumë të mëdha financiare, duke përdorur emra të zyrtarëve të lartë si Erjon Veliaj dhe kryeministri Edi Rama.

Në 4 operacione të ndryshme të Njësisë “E” në Policinë e Shtetit për këto krime u arrestuan 11 persona, pjesa më e madhe e të cilëve kishin role dytësore në mashtrim.

Në operacionin e parë të koduar me emrin “Signal” ranë në pranga Jasmin Pepaj, Rezart Pepaj dhe Sherif Kadroviç. Tre të rinjtë shkodranë tentuan që përmes një mesazhi ku prezantoheshin me emrin “Edi” të mashtrojnë biznesmenin e ndërtimit Pëllumb Salillari duke i kërkuar 130 mijë euro.

Tre ditë më vonë, policia prangosi 3 të dyshuar të tjerë, Erjon Likën, Edmir Jaçen dhe Gazmir Ismailajn, në operacionin “Subjekti”. Ata tentuan që t’i merrnin 13 mijë euro administratorit të një biznesi në Kamzë.

Më tej, më 13 shkurt në operacionin “Tentativa” u arrestuan Ergys Ahmetaj, Andi Basha dhe Gëzim Kusi, të cilët i kërkuan para pronarit të një kazinoje në Tiranë.

Në rastin e fundit, autorët i kërkuan 100 mijë euro biznesmenit Ram Gecit të cilit në mënyrë mashtruese iu prezantuan në emër të kryebashkiakut të Tiranës. Policia gjurmoi personat që shkuan të marrin paratë dhe arrestoi babë e bir, Bedri e Albert Vodha, gjatë operacionit të koduar “Telegram”.

Sipas policisë, të katër episodet kanë të përbashkët mënyrën se si tentohet të kryhet mashtrimi, por i veçuar është operacioni “Signal”, ku u mashtrua Pëllumb Salillari, pasi autorët e tij nuk kanë asnjë lidhje me tri rastet e tjera.

Në hetimet e kryera nga Njësia “E” ka rezultuar se koka kryesore kriminale e mashtrimit në operacionet “Subjekti”, “Tentativa” dhe “Telegram”, është 39-vjeçari Florian Gjergji, i cili i ka shpëtuar arrestimit.

/Shqip.com