VV-ja e sheh të pamundur marrëveshjen me Serbinë – PDK e AAK fajësojnë pushtetin
Lëvizja Vetëvendosje e konsideron të pamundur arritjen e marrëveshjes për dinarin serb, marrë parasysh fushatën e egër dhe qasjes “dekonstruktive” të Serbisë.
Ndërsa Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e shohin të paarsyeshëm dialogimin në Bruksel për çështje të brendshme.
PDK e AAK thonë se dinari serb nuk është dashur të futet në agjendën e dialogut dhe si e tillë e shohin gabim.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, tha se dialogu me Serbinë është i vështirë, marrë parasysh sjelljen e Serbisë e pengesat drejtë anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Nuk mund të ketë dialog me një Serbi për mënyrën së si sillet. Ne kemi pas një marrëveshje të dakorduar e cila ka përmbajt disa pika, ndër to ka qenë zotimi i dy palëve tjetër në anëtarësime në organizma ndërkombëtarë, ndërkohë në anën tjetër kemi pa pra se me çfarë gjuhe me çfarë ashpërsie Serbia është munduar ta ndalojë Kosovën në asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës”, tha Rexhaj, teksa përmend edhe tentimin e Serbisë për ta aneksuar veriun me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.“Në anën tjetër ka pas një sulm terrorist me motive që të aneksojë një pjesë të Republikës së Kosovës në këtë rast veriut dhe natyrisht në situata të tilla dialogu nuk mund të vazhdojë. Pra duhet të rimodelohet dhe pastaj keni parë edhe idenë kur ndërmjetësit tentojnë t’i gjejnë faj, pra në këtë rast të hedhin faj nga vetvetja ndonëse mendoj se qasja që nga fillimi ka qenë jo e mirë”, tha Rexhaj.
Ndërsa, sa i përket qasjes së Kosovës në dialog, Rexhaj tha se vendi ynë e ka treguar vetën në aspektin pozitiv duke propozuar edhe marrëveshje.
“Në raport me dialogun, në aspektin e palës së Kosovës mendoj se Kosova e ka treguar vetën sepse disa herë ka propozuar nënshkrim të marrëveshjes dikush ka thënë ndonëse edhe faktori ndërkombëtar kanë thënë se kur marrëveshja është e dakorduar nuk ka nevojë për nënshkrim por me qenë së ne e njohim pra se me kë kemi të bëjmë pra me një Serbi e cila përherë i ka shkelur marrëveshjet ne kemi 3 marrëveshje të dakorduara me Serbinë zbatimi i tyre dhe pse kanë qenë të dakordum si ajo e targave dhe tjera ka qenë vështirë e implementueshme edhe pse ka pas dakordim ne gjithmonë kemi insistu në nënshkrimin e saj madje edhe në Këshillin e Sigurimit ku kryeministri i Kosovës i drejtohet pra Vuçiqit dhe i thotë eja ta nënshkruajmë mendoj që megjithatë dialogu duhet të rimodelohet dhe shihet në një formë tjetër”, tha ai.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, e konsideron çështjen e dinarit si e tillë që nuk do duhej të diskutohej në dialog, për faktin se është problem i brendshëm.
“Problematika dhe negociatat për dinarin nuk do duhet të fillonin fare, kjo është improvizim i institucioneve shtetërore qeveritare të nivelit më të lartë sepse `dinari është problem i brendshëm i Kosovës i rregulluar me ligj, problem të cilin nuk do duhej fare ta nxjerrim në arenën ndërkombëtare”, tha ai për Ekonomia Online.
I njëjti, shtoi se situata për dinarin ka degraduar dhe tashmë ka sjellë pasoja të mëdha politike dhe ekonomike për vendin tonë.
“Fatkeqësisht tashmë kjo situatë ka degraduar dhe çështje të brendshme po kalojnë në agjenda ndërkombëtare e që kjo ka pasoja të madhe politike dhe ekonomike për vendin tonë. Pra kemi qenë dhe jemi që çështjet e brendshme të diskutohen brenda por fatkeqësisht qeveria po nxjerr pothuajse çso muaj nga një aferë të paarsyeshme të panevojshme për t’i ikur gjendjes reale në të cilën e ka pruar vendin. Krejtësisht politike krejtësisht për konsum ditor të brendshëm ditor të saj krejtësisht jashtë ligjore krejtësisht të panevojshme. Për mua është e përfunduar sepse ligji është i qartë kompetencat janë të qarta veprimet operacionale që ka ndërmarrë qeveria me ose pa koordinimin e faktorit ndërkombëtar ato janë përgjegjësi direkte e kryeministrit dhe atyre që merren me këtë punë”, tha Shala.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, tha se nuk ka pas përparim sa i përket çështjes së dinarit pavarësisht takimeve të shpeshta mes dy palëve.
“Keni të drejtë kur e thoni sepse në ditët e para kur është marrë vendimi në bazë të rregullores të BQK-së, që kanë pas të drejtë dhe ne e kemi përshëndetur këta janë ndalur dhe kanë përvetësuar për vete ia që ne e ndalem dinarin ja që kjo është çështje kushtetuese e vendit dhe që nuk do të vazhdohet nuk do ketë dialog sa i përket çështjes së dinarit në Bruksel por dul e kundërta dhe pesë takime që i kanë pas, nuk ka pas të themi përparim sa i përket çështjes së dinarit”, tha Lekaj.Ai tha se Qeveria po del jo serioze ndaj ndërkombëtarëve dhe qytetarëve të saj në mënyrën së si po e trajton çështjen e dinarit.“Qeveria po del shumë jo serioze ndaj institucioneve ndërkombëtare e sidomos ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës që është zotuar që nuk do ta diskutoj çështjen e dinarit në Bruksel por ja që po diskutohet ja që e ka ngrit në nivelin politik dhe në nivelin e dialogut”, tha ai.
/Shqip.com