Lajme

Kamberi pasi Kosova ndau 2 milionë euro për Luginën: Të hartohet Plani për funksionalizimin e një organi shtetëror

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovës për përfshirjen e Luginës në projekt-ligin e buxhetit. Por, ai ka kërkuar që bashkë me buxhetin – të hartohet edhe një Plan dhe Program Shtetëror për funksionalizimin e një organi qeveritar.

Përmes një postimi në Facebook, Kamberi ka thënë se është shumë pozitive që kërkesa e kamotshme të gjen zbatim.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 2 milionë euro për Luginën e Preshevës.

Lugina e Preshevës.

“Më e rëndësishme se shuma financiare është qasja shtetërore dhe institucionale, si në rastin e buxhetimit shtetëror”, ka thënë Kamberi.

“Besojmë se ky buxhetim do të shoqërohet me hartimin e një Plani dhe Programi shtetëror së bashku me të zgjedhurit e Luginës së Preshevës, si dhe me funksionalizimin e një organi qeveritar për Luginën e Preshevës”, vazhdoi ai.

Përndryshe edhe Ardita Sinani, kryetare e Preshevës – ka thënë se përfshirja e Luginës së Preshevës në Buxhetin e Republikës së Kosovës, ka qenë një kërkesë e kamotshme.

Ajo e ka përshëndetur këtë vendim.

Lugina e Preshevës në diskursin shqiptar njihet si “Kosova Lindore”.

Lexo edhe:
Kryetarja e Preshevës: Ka qenë kërkesë e kahmotshme që Lugina të përfshihet në Buxhetin e Kosovës

Në të kaluarën, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kishin ndarë nga 50 mijë euro për Luginën.

Për këtë kishte pasur kritika, pasi Beogradi investon shumë më shumë në Veriun e Kosovës.

Pikërisht në raport me Beogradin, Sinani shtoi se kërkon që përfaqësues nga Lugina të përfshihen në dialogun Kosovë-Serbi. /Shqip.com