Lajme

Gjykata refuzon kërkesën e Prokurorisë, vendos arrest shtëpiak për menaxherët e kompanive të naftës

HIB Petrol & Alfa Trade & Fer Petrol

Për dyshimet e shmangies së taksave doganore në vlerë të mbi 700 mijë eurove, Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendos masën arrestit shtëpiak në periudhë prej një muaji për tre të dyshuarit.

Kësisoj, ka hedhur poshtë kërkesën e Prokurorisë, që të njëjtit të mbahen në paraburgim.

Në aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamentin i Përgjithshëm, të siguruar nga Shqip, thuhet se në këtë fazë caktimi i masës së paraburgimit është i paarsyeshëm.

“Gjykata pas dëgjimit  të palëve dhe analizimit te kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin  e masës së paraburgimit të datës, 19.03.2022, kundër të pandehurve F.Xh,  H.H dhe J.Gj dhe konstatoi se kërkesa për  caktimin e masës  së paraburgimit është  e pabazuar dhe  masa  adekuate në  këtë  fazë  të procedurës është arresti shtëpiak  sipas nenit 184 te KP”, thuhet në aktvendim.

Megjithëkëtë, Gjykata pranon se ekziston dyshimi se të njëjtit kanë importuar naftë dhe derivate të saj në Kosovë, në emër të Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë, për çka dokumentet dyshohet të jenë të falsifikuara.

 “..rezulton se ekziston dyshimi  i  bazuar se të pandehurit me dije  kanë përdorur  dokumente të falsifikuara, të cilat  nuk kanë  qenë  të nënshkruara nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Greqisë dhe të cilat dokumente të rrejshme ia kane paraqitur Doganës,  duke shmangur  pagesën  e tarifave të detyrueshme doganore  dhe akcizore, me të cilat veprime ekziston  dyshimi  i bazuar se i kane kryer veprat penale si në dispozitiv”, thuhet në shkresë

Shqip ka raportuar gjatë ditës se në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit të Prokurorisë, menaxheri i HIB Petrol, F.Xh, dyshohet për shmangie të akcizës dhe TVSH-së, në vlerë të mbi 500 mijë eurove.

Lexo edhe:
Dogana e Kosovës konfirmon dyshimet për mashtrimin e HIB Petrol, Alfa Trade dhe Fer Petrol me derivate të naftës

Ndërsa menaxheri i Alfa Trade, H.H, gjatë vitit 2019 dhe 2020, dyshohet të ketë arritur t’i shmanget pagesave të Doganës së Kosovës, në vlerë të mbi 100 mijë eurove.

Lexo edhe:
Dogana, pos menaxherin e HIB Petrolit, ka arrestuar edhe ata të Alfa Trade dhe Fer Petrol

Derisa, menaxheri i kompanisë Fer Petrol, J.Gj, gjatë vitit 2021 dyshohet të ketë arritur t’u shmanget taksave në vlerë të mbi 60 mijë eurove.

Lexo edhe:
Dokument: Menaxheri i Alfa Trade dyshohet për mbi 100 mijë euro shmangie të taksave doganore