Lajme

Dogana e Kosovës konfirmon dyshimet për mashtrimin e HIB Petrol, Alfa Trade dhe Fer Petrol me derivate të naftës

Dogana e Kosovës.

Dogana e Kosovës e ka konfirmuar se tri subjekte që operojnë në fushën e tregtisë me derivate të naftës kanë bërë shmangien e taksave.

Shqip.com ka raportuar më herët se bëhet fjalë për HIB Petrol, Alfa Trade dhe Fer Petrol.

Sipas Doganës së Kosovës  kontrollat kanë përfunduar duke zbuluar lirimi i bazuar në dokumente të falsifikuar ndër vite, fillimisht nga këto tri subjekte që kanë deklaruar edhe ndërlidhjen mes vete.

Dogana ndër të tjera ka njoftuar se këto tri subjekte kanë liruar në import derivate duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit prej mbi 600 mijë euro gjatë tre viteve të fundit. 

“Dogana ka njoftuar prokurorin kujdestar dhe me vendim të prokurorit janë arrestuar personat

përgjegjës të tri subjekteve të përfshira në këto procedura lirimi, përderisa hetimi do të vijoj në

zbardhjen e rrethanave të këtyre rasteve”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Menaxheri i kompanisë së HIB Petrol, F.Xh, dyshohet se gjatë periudhës 1 janar 2019 deri me 12 mars 2022, i ka paraqitur Doganës së Kosovës dokumente të rrejshme.

Krejt kjo me qëllim të shmangies së taksave doganore.

Shqip.com ka siguruar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, drejtuar Gjykatës Themelore, për caktimin e masës së paraburgimit në periudhë prej 30 ditësh.

Ndërsa, nga ana tjetër menaxheri  i kompanisë së derivateve të naftës Alfa Trade, H.H është në mesin e të arrestuarve me dyshimet për falsifikim të dokumenteve gjatë importit të naftës.

Në kërkesën e siguruar nga Shqip, për caktimin e masës së paraburgimit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, thuhet se H.H dyshohet se gjatë vitit 2019 dhe 2020, gjatë importit i ka paraqitur doganës dokumente të rrejshme.

Krejt kjo me qëllim të përfitimit financiar.

Gjithashtu, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në periudhë prej 30 ditësh, për menaxherin e kompanisë Fer Petrol.

J.Gj, dyshohet se gjatë vitit 2021 i ka paraqitur doganës dokument të rrejshëm me qëllim të shmangies nga pagesat e tarifave doganore.

“Ekziston dyshimi i bazuar se në vitin 2021, i pandehuri J.GJ” me qëllim që vetes apo personit tjetër t’i mundësojë shmangien nga pagesa e tarifave tatimore doganore apo tarifave tjera ose detyrimeve doganore që paguhen me rastin e importimit apo eksportimit të mallrave, i paraqet doganës dokument të rrejshëm, dokumentet për lirimin, kinse të lëshuar nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Greqisë në Prishtinë dhe kontratat e shitblerjes ndërmjet N. T Fer Petroll me Zyrën Ndërlidhëse të Greqisë në Prishtinë, me çka ka bërë shmangien nga pagesa e tarifave tatimore doganore apo tarifave tjera ose detyrimeve doganore”, thuhet në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë drejtuar Gjykatës Themelore./Shqip.com