Lajme

Dokument: Menaxheri i Alfa Trade dyshohet për mbi 100 mijë euro shmangie të taksave doganore

Alfa Trade

Menaxheri  i kompanisë së derivateve të naftës Alfa Trade, H.H është në mesin e të arrestuarve me dyshimet për falsifikim të dokumenteve gjatë importit të naftës.

Në kërkesën e siguruar nga Shqip, për caktimin e masës së paraburgimit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, thuhet se H.H dyshohet se gjatë vitit 2019 dhe 2020, gjatë importit i ka paraqitur doganës dokumente të rrejshme.

Krejt kjo me qëllim të përfitimit financiar.

“Ekziston dyshimi i bazuar se në vitin 2019 dhe 2020, i pandehuri H.H me qëllim që vetes apo personit tjetër t’i mundësojë shmangien nga pagesa e tarifave tatimore doganore apo tarifave tjera ose detyrimeve doganore që paguhen me rastin e importimit apo eksportimit të mallrave, i paraqet doganës dokument të rrejshëm, dokumentet për lirimin, kinse të lëshuar nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Greqisë në Prishtinë dhe kontratat e shitblerjes ndërmjet Alfa Trade me Zyrën Ndërlidhëse të Greqisë në Prishtinë”, thuhet në kërkesës e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit.

I njëjti dyshohet të ketë arritur t’i shmanget pagesave të Doganës së Kosovës, në vlerë të mbi 100 mijë eurove.

“Me çka ka bërë shmangien nga pagesa e tarifave tatimore doganore apo tarifave tjera ose detyrimeve doganore, ashtu që ka shmangur pagesë për akcizë në vlerë 86.400 Euro dhe TVSH në vlerë prej 32 080.61 Euro.

Përveç menaxherit të Alfa Trade, Dogana e Kosovës në aksionin e zhvilluar me 18 mars, ka arrestuar edhe menaxherin e HIB Petrol dhe Fer Petrol.

Vërejtje: Të gjithë personat e lartpërmendur si të dyshuar, konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Kosovës./Shqip.com