Lajme

Gjykata e Apelit merr vendim për infermieret që sulmuan të moshuarën

Gjykata e Apelit e ka refuzuar kërkesën e avokatëve të infermiereve A.P., A.R dhe R.K, për lirimin e tyre nga masa e paraburgimit, për ushtrim të dhunës ndaj të moshuarës në qendrën e të moshuarve “Orenda” në Pejë.

Lajmin e kanë konfirmuar për Shqip.com, Tringa Zhuti, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë

Një javë më parë, Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj tri infermierve të dyshuara në rastin e sulmit ndaj të moshuarës në Shtëpinë e Pleqve në Pejë.

Sipas zëdhënësit të Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikqit, kërkesa e prokurorisë ka ardhur duke u bazuar në dyshimin se të dyshuarat mund të ndikojnë në devijimin e procesit gjyqësor.

Lexo edhe:
I revokohet licenca qendrës “Orenda” në Pejë ku u rrah e moshuara

Kujtojmë se Oda e infermierëve të Kosovës ka njoftuar se ua ka hequr licencat e punës katër infermiereve të cilat ishin të përfshira në rastin e sulmit ndaj të moshuarës në Shtëpinë e të Moshuarve “Orenda” në Pejë.

Në pamjet e shpërndara në rrjetet sociale, një infermiere në rezidencën e të moshuarve Orenda, në Pejë, mban gruan nga duart dhe e godet disa herë me shuplakë.

Lexo edhe:
Gjykata cakton masën e paraburgimit ndaj tri infermiereve në rastin e të moshuarës

Në video shihen edhe dy infermiere të tjera dhe një tjetër po e filmon – e cila dëgjohet duke qeshur me të madhe teksa kolegia e saj sulmon gruan e moshuar. E moshuara duket se është në gjendje të rëndë, pasi është sulmuar nga infermieria.

Pas rastit, Policia e Kosovës, kishte arrestuar tri infermieret që ishin të përfshira në sulm.

/Shqip.com