Lajme

I revokohet licenca qendrës “Orenda” në Pejë ku u rrah e moshuara

Ministria e Financave ka njoftuar se ka hequr licencen për qendrën “Orenda” -vendi ku para disa dite u rrah një e moshuar nga tri infermiere.

Tutje thuhet se për këtë rast janë intervistuar i gjithë stafi dhe dëshmitarët e rastit.

“Pas publikimit të pamjeve të sulmit fizik ndaj të moshuarës në subjektin “Orenda” në Pejë, Njësia e Inspektimit të Shërbimeve Sociale ka bërë inspektimin e menjëhershëm të vendit të ngjarjes, si dhe intervistimin e stafit të qendrës dhe dëshmitarëve të rastit.

Me përmbylljen e raportit të inspektimit, i njëjti i është dorëzuar sot Komisionit Licencues, i cili ka mbajtur një takim urgjent ku është marrë vendim që subjektit “Orenda” t’i revokohet licenca për ofrimin e shërbimeve sociale”.

Sipas vendimit të Komisionit, subjekti në fjalë është i obliguar që brenda një afati 24 orësh t’i njoftojë familjarët e rezidentëve lidhur me vendimin, kurse deri më datë 7 nëntor (e hënë) obligohet të dorëzojë licencën dhe të mbyll aktivitetin e ofrimit të shërbimeve sociale.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar nga gjykatësi i procedurës paraprake që të caktohet masa e paraburgimit prej 30 diteve ndaj tri të dyshuarave për përfshirjen në sulmin ndaj të moshuarës në Shtëpinë e Pleqve në Pejë.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikqi njoftoi se gjykatësi do të dal me një vendim lidhur me këtë pasi të përfundojë seanca gjyqësore.

“Prokurori i shtetit ka elaboruar kërkesën ku është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit dhe njëkohësisht gjatë kësaj kërkese janë cekur arsyet se pse duhet të caktohet masa e paraburgimit ndaj tri të pandehurave në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Jemi në pritje të vendimit nga ana e gjykatësit të procedurës paraprake. Gjyqtari ka thënë që pasi të përfundojë seanca do të marrë një vendim për kërkesën e paraqitur nga prokuroria”, tha Nikqi.

Sipas Nikqit, kërkesa e prokurorisë ka ardhur duke u bazuar në dyshimin se të dyshuarat mund të ndikojnë në devijimin e procesit gjyqësor.

/Shqip.com