Lajme

Prokuroria kërkon 30 ditë paraburgim për infermieret që sulmuan të moshuarën në Pejë

Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar nga gjykatësi i procedurës paraprake që të caktohet masa e paraburgimit prej 30 diteve ndaj tri të dyshuarave për përfshirjen në sulmin ndaj të moshuarës në Shtëpinë e Pleqve në Pejë.

Për Kanal10, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikqi njoftoi se gjykatësi do të dal me një vendim lidhur me këtë pasi të përfundojë seanca gjyqësore.

“Prokurori i shtetit ka elaboruar kërkesën ku është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit dhe njëkohësisht gjatë kësaj kërkese janë cekur arsyet se pse duhet të caktohet masa e paraburgimit ndaj tri të pandehurave në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Jemi në pritje të vendimit nga ana e gjykatësit të procedurës paraprake. Gjyqtari ka thënë që pasi të përfundojë seanca do të marrë një vendim për kërkesën e paraqitur nga prokuroria”, tha Nikqi.

Sipas Nikqit, kërkesa e prokurorisë ka ardhur duke u bazuar në dyshimin se të dyshuarat mund të ndikojnë në devijimin e procesit gjyqësor.

“Realisht ka prova të mjaftueshme të cilat bëjnë dyshimin e bazuar mirë që trijat kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje. Njëra prej tyre ka kryer veprën penale sulm ndërkaq, e pandehura e dytë ka kryer veprën penale dhënja e ndihmës në kryerjen e veprës penale sulmi ndërsa, e pandehura e tretë ka kryer veprën penale ‘fotografimi apo incizimi. Po ashtu, ekziston dyshimi i arsyeshëm që duhet të sigurohet prezenca e të pandehurve në procedurë penale dhe hetimet të mospengohen për shkak që të mosketë ndikime në dëshmitarë, të mosketë deklarata të koordinuara që mund ta pengojnë procesin hetimor”.

Zëdhënsi i prokurorisë në Pejë, tha se janë duke hetuar nëse ka ndonjë rast të mëhershëm të ngjashëm në atë institucion.

“Janë dhjetëra veprime hetimore që janë duke i kryer Policia rajonle e Pejës ku disa prej tyre janë konfidenciale. Ajo që është relevante bashkë me prokuroren janë intervistuar stafi dhe personeli në atë strehimore dhe në varësisht deklarimet që janë bërë, hetimet do të zhvillohen dhe kemi informata të grumbulluara. Ajo çka mund të thëmë është se jemi në rrugë të drejtë është që ta ndriçojmë në plotni këtë çështje penale si dhe do të shohim nëse ka ndonjë rast të mëhershëm për të nisur procedura edhe ndaj atij personi fizik. Në këtë fazë do të jemi konfidencial”.

Ndërsa, për viktimën, Nikqi tha se kanë angazhuar një neuropsikiatër për të parë gjëndjen shëndetësore të saj lidhur me mundësin e deklaratës.

“Kemi angazhuar edhe një neuropsikiatër dhe jemi në pritje të raportit që të shohim nëse viktima është në gjëndje që të deklarohet në këtë fazë apo jo. Prokurorja e çështjes pasi të shoh raportin nga neuropsikiatri i angazhuar për këtë çështje dhe veprimet hetimore që vijnë nga kuadrot e ndryshme, atëherë do të vendoset se çfarë veprime hetimore të tjera do të ndërmarrim”.

Kujtojmë se Oda e infermierëve të Kosovës ka njoftuar se ua ka hequr licencat e punës katër infermiereve të cilat ishin të përfshira në rastin e sulmit ndaj të moshuarës në Shtëpinë e të Moshuarve “Orenda” në Pejë.

U hiqet licenca katër infermiereve për sulmin ndaj të moshuarës – SHQIP.com

Në pamjet e shpërndara në rrjetet sociale, një infermiere në rezidencën e të moshuarve Orenda, në Pejë, mban gruan nga duart dhe e godet disa herë me shuplakë.

Në video shihen edhe dy infermiere të tjera dhe një tjetër po e filmon – e cila dëgjohet duke qeshur me të madhe teksa kolegia e saj sulmon gruan e moshuar. 

E moshuara duket se është në gjendje të rëndë, pasi është sulmuar nga infermieria.

Pas rastit, Policia e Kosovës, ka arrestuar tri infermieret që ishin të përfshira në sulm.

/Shqip.com