Lajme

Fermerët në pritje të kompensimit të dëmeve – Ministria e Bujqësisë ndanë miliona euro

Rreth 6 mijë euro dëme në kulturën e patates i janë shkaktuar bujkut Imer Durakut nga Rahoveci, të cilit vërshimet e 17 shtatorit, ia shkatërruan thuajse të gjitha të mbjellat në hapësirën 1 hektarësh.

“Jemi dëmtuar me kulturën e patates. Kemi pasur të mbjella 1 hektar dhe janë dëmtuar pas vërshimeve që ishin. Përafërsisht nga kjo kulturë kemi mujt që të nxirrnim diku 30 tonë patate”, ka thënë për Shqip.com, fermeri rahovecas.

Ai deklaroi se tashmë ka aplikuar për kompensim të dëmit në komunë.

“Dëmet janë inspektuar nga komuna dhe shënimet i kanë marrë, mirëpo nuk kemi ndonjë informacion se kur bëhet kompensimi. Nga këto 30 tonë, mund të fitoja diku 6 mijë euro nga shitja e tyre”, tha Duraku.

Drejtori i Bujqësisë i kësaj komune, Berat Duraku, ka treguar për numrin e fermerëve që kanë aplikuar për kompensim.

Lexo edhe:
Kastrati: Përmbytjet ndodhin për shkak të mosmirëmbajtjes së lumenjve

“Një sipërfaqe e madhe e tokave bujqësore është vërshuar, po ashtu edhe e ekonomive familjare. Ne kemi formuar komisionin për inspektimin e dëmeve në sektorin e bujqësisë. Në bazë të dhënave që kemi grumbulluar, numri i fermerëve që janë paraqit për kompensim të dëmeve është afër 600 dhe akoma po lajmërohen të tjerë”, ka deklaruar Duraku.

Sipas të dhënave fillestare, vlera e dëmit të shkaktuar nga vërshimet në këtë komunë, tejkalon 1 milionë euro.

“Një vlerë preliminare të dëmeve e kemi dhe është 1 e 735 mijë euro, vetëm në sektorin e bujqësisë. Ne si komunë nuk kemi ndonjë fond për kompensim të dëmeve. Raportin e dëmit e kemi dërguar në ministri. Nuk kemi ndonjë vlerë të sakte se në çfarë vlerë do të kompensohen fermerët nga ministria”, tha Duraku për Shqip.com.

Lexo edhe:
Ministri Krasniqi viziton zonat e prekura nga përmbytjet në Gjakovë e Rahovec

Ndërsa Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka bërë të ditur se janë ndarë një fond prej 3 milionë euro për kompensim të dëmeve.

“Jemi në pritje të raporteve nga komunat e vendit për dëmet e pësuara në sektorin e bujqësisë nga fatkeqësitë natyrore siç janë: erërat e forta, breshëri, vërshimet, përmbytjet dhe ngricat. Afati për dorëzimin e këtyre raporteve është deri më datë 24 tetor 2022”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për Shqip.com.

Lexo edhe:
Këto janë pesë qytetet me sasinë më të madhe të reshjeve të shiut

Nga vërshimet e 17 shtatorit, përveç në komunën e Rahovecit, dëme të mëdha u shkaktuan edhe në atë të Gjakovës.

/Shqip.com