OP-ED Kolumne

Fëmijë që ju dhanë mësim të rriturve se si festohet pavarësia, pa ngarkesën e miteve!

Fëmijët duke e festuar 17 shkurtin në Prishtinë
Xhevdet Pozhari
Xhevdet Pozhari

Publikuar:

Rrugët e Prishtinës ishin të mbushur me përplot fëmijë në Ditën e Pavarësisë. Radhët e tyre mbushnin sheshet dhe bulevardet duke shkuar në mënyrë të organizuar për të vizituar institucionet e vendit.

Për dallim nga viti 2008 kur i ftohti i acartë kishte kapluar vendin, 15 vite më vonë dielli po i shndërriste fytyrat e brezave që kanë lindur pas shpalljes së pavarësisë.

Të rreshtuar nga mësueset, ata hapëronin drejt institucioneve ku merren vendime për të ardhmen e tyre. I përbashkët ishte gëzimi i pastër, gjë që nuk mund ta vëreje tek të rriturit! Për fëmijët pak kishte rëndësi se kush është më meritor, e kush më pak për ditët që ata sot i jetojnë. Edhe më e parëndësishme ishte se kush është në krye të institucioneve.

Për ta, mbi të gjitha e rëndësishme mbetet buzëqeshja e çiltër do të duhej të na obligonte të gjithëve për t’ua siguruar një të ardhme më të mirë brezave të rinj. Por, ja që polarizimet e theksuara në shoqërinë tonë, janë dëshmi krejtësisht për të kundërtën.

Ende pa filluar festa, nisën hatërmbejtjet nëse u përmend “njëri” apo nëse u la në “hije” tjetri”. Një garë e çuditshme, madje në masë të madhe absurde, për të përvetësuar merita dhe vlera që nuk i kanë. Më pas krijim i taborreve nga të rriturit që brohorasin emra të përveçëm. Dikush Ibrahim Rugovën, tjetri Adem Jasharin, dikush Hashim Thaçin, dikush Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin.

As sa ndonjëherë të krijohet përshtypja se edhe sikur këta akterë të gjenin paqe ndërmjet vete, grupe të caktuara me çdo kusht do të insistonin që t’i fryenin hasmërisë. Dhe ne shqiptarët jemi të shquar për skajshmëritë. Dimë të duam dhe me të njëjtin pasion edhe të urrejmë deri në fund. Ky pasion ndoshta na bën që të jemi tifozë të denjë të një grupimi ose tjetri dhe fatkeqësisht jo rrallë më shumë sesa të na bashkojë e përbashkëta, na bashkon smira, xhelozia dhe mosdurimi ndaj dikujt që është ndryshe nga ne.

Edhe liderët partiakë e kanë kuptuar qartë prirjen kolektive të mosdurimt që e kemi ndaj mendimin të kundërt. Kjo edhe më egër shprehet në grupet brenda llojit. Por manifestimi publik më shumë i dukshëm është në rivalitetet ndërpartiake që janë ushqimi më i mirë për ata që duan të prodhojnë zhurmë pa përmbajtje.

Jo rastësisht, partitë politike ngadalë, por sigurtë, janë duke u shëndrruar në strehë të njerëzve të paaftë që vlerë të vetme i kanë ofendimet ndaj atyre që ua kritikojnë liderin. Dhe, liderëve nuk është se nuk ju pëlqen kjo sado që mundohen ta thonë të kundërtën. Madje, sa më të rënda ofendimet, aq më shumë rriten gjasat për karrierën e ofenduesit.

Së paku këtë e ka dëshmuar praktika e deritanishme. Ndërkohë, të njëjtit heshtin si qyqe kur ndodhin koalicione midis subjekteve që deri dje vringëllinin shpatat ndaj njëri – tjetrit, ndërsa në një moment të caktuar vendosin që ta ndajnë kulaçin e pushtetit.

Me dritëhije të tilla u shënua edhe ky përvjetor i pavarësinë kur secili udhëheqës e kishte kryefjalë sakrificën dhe mirëqenien e popullit, por në fakt mendjen e kishte te madhështia e vetvetes. Madje, edhe nëse duhej harruar apo shpërfillur meritat e tjetrit.

Prandaj, gjëja më e bukur dhe më e pastër në këtë përvjetor ishin radhët e gjata të fëmijëve që ishin moskokëçarës dhe e shijonin me buzëqeshje këtë ditë. Breza të rinj që kur të rriten nuk do ta ngarkojnë veten me hipotekat e së kaluarës që sot mund t’i ndjejnë liderët tanë.

Por, do ta jetojnë kohën e tyre pa ngarkesën se kush hyri e kush mbeti në histori. Edhe ashtu historia jonë është e stërmbushur me mite që ishin dhe mbesin ushqimi më i preferuar për një komb të vogël fati i të cilit kaloi nëpër dyert e tragjedive të mëdha.

/Shqip.com