Lajme

Çka është projekti i gazit? Çka s’pranoi Qeveria? Çka do t’i sillte Kosovës?

Gazsjellësi - projekti amerikan
Lajmi me Audio

Qeveria e Kosovës është tërhequr nga projekti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Por, përkundër se – paralel me situatën në Veri – projekti i gazit ishte një nga temat më të debatuara në Kosovë, njëjtë si qeveria, edhe opinioni publik ka pasur fare pak informata mbi këtë çështje.

Nga çka u tërhoq Kosova saktësisht dhe përse, akoma dihet shumë pak.

Jo shumë u bë e qartë edhe nga deklarimi i ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Ajo, para deputetëve, në një seancë parlamentare të së hënës, tha se e kishin të pamundur të përfshiheshin në këtë projekt për shkak të mungesës së informatave, por edhe problematikave të tjera që paraqiste projekti.

Fillimisht, kostoja e projektit, sipas Rizvanollit, do të kishte qenë e lartë dhe se Qeveria nuk ka pasur vlerësim të saktë.

Në anën tjetër, siç tha ministrja, edhe disa investitorë nuk kanë shprehur interesim për investim, kurse disa të tjerë kanë vënë kushte të cilat “kanë qenë të pafavorshme për vendin”.

“Nuk ka qenë e qartë se cili do të jetë efekti në çmimet për konsumatorët, sipas disa përllogaritjeve që i kemi marrë 40 euro për një megawat ka qenë vetëm kosto e paraparë e gazit, që është më e shtrenjtë 30% sesa kosto aktuale e prodhimit të energjisë që e kemi”, është shprehur Rizvanolli.

Megjithatë, përkundër arsyetimeve, qeveria u kritikua nga opozita dhe të tjerë që thonë se dinë diçka më shumë rreth këtij projekti.

Edhe sipas Visar Ymerit, ish-politikan dhe tani drejtor ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, Kosova do të përfitonte shumë nga ky projekt.

Drejtori ekzekutiv i Institutit për çështje sociale “Musine Kokolari”

“Përfitimet”, thotë Ymeri do ishin “gjeopolitike, por edhe gjeostrategjike”.

Siguria energjetike dhe përfitimet mjedisore janë dy çështje tjera që do të tregonin se një opsion i tillë do të ishte më i mirë për tranzicionin energjetik.

Kosova nuk është e përfshirë në ndonjë projekt tjetër të rrjetit të gazit, prandaj “kjo ka qenë mundësi e artë që Kosovën ta vendosim në hartën e korridoreve energjetike të Evropës që do të na jepte një avantazh të theksuar gjeostrategjik”, thotë ai për Shqip.com.

“Përfitimi tjetër do të ishte i brendshëm, e që ndërlidhet me sigurinë energjetike”.

Kjo, sepse “diversifikimi i burimeve energjetike është i domosdoshëm për ta fituar fleksibilitetin e mjaftueshëm në tregun e prodhimit të energjisë dhe për t’i ikur varësisë sezonale që e kemi nga importi i energjisë”.

Pos këtyre përfitimeve, është edhe ai mjedisor, pasi “gazi natyror emetimit e dioksidit të karbonit e ka shumë më të ulët se sa thëngjilli”.

Çka është projekti “amerikan” i gazit?

Gazsjellësi amerikan

Ky projekt madhor strategjik ndryshe quhet Korridori jugor i gazit, ku të përfshirë janë: Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP), Tubacioni i Kaukazit Jugor (SCP) dhe Tubacionin Anatolian (TANAP).

Siç tregon Ymeri, “ky korridor gazi do t’i ketë dy burime të gazit, atij natyror që vjen nga Azerbajxhani dhe gazit likuid (Liquified Natural Gas LNG) që përgjithësisht do të vinte nga ShBA”, thotë ai.

Vendimin e Qeverisë për të shfrytëzuar tutje investimin e alokuar për programin e kompaktit për investime me risk më të ulët, Ymeri e sheh të ngutshëm dhe jo të shpjeguar si duhet.

“Një prej arsyetimeve ka qenë kostoja e projektit. Në raste të tilla të investimeve afatgjatë dhe të rëndësishme infrastrukturore kostoja duhet të llogaritet jo vetëm si shumë që duhet dhënë tash, por edhe si përfitim që një projekt i tillë mund të na sjellë në të ardhmen. Dhe duhet llogaritur edhe çka humbin nëse nuk e kemi një infrastrukturë të tillë”, thotë ai.

“Nëse po refuzojmë që tash ta reduktojmë sado pak ndotjen që na e shkakton thëngjilli atëherë kur do të lëvizim drejt një energjie të gjelbër? Sa do të na kushtojë dëmi mjedisor deri atëherë? Sa do të na dëmtojnë shëndetin termocentralet aktuale?”, pyet më tej ai.

Në të njëjtën kohë kur qeveria merr vendim që të mos vazhdohet me projektin e gazit, ai njofton se KEK shpreh interesin për rindërtim të Termocentralit Kosova A.

“Pra nuk po ecim drejt tranzicionit kah energjia e ripërtëritshme, por po zhytemi më shumë e më thellë në thëngjill”.

Përveçse është projekt që mbështetet nga SHBA-të financiarisht dhe politikisht, ai thotë se kjo është alternativë ndaj gazit rus.

“Një projekt kaq të madh e të rëndësishëm infrastrukturor nuk do të mund ta realizonim pa këmbënguljen e një shteti të fuqishëm siç janë ShBA-të”.

A është refuzuar përfundimisht marrëveshja, apo është shtyrë për një tjetër moment?

Megjithatë, qeveria nuk e ka hedhur poshtë krejtësisht marrjen pjesë në këtë linjë gazi.

Siç ka treguar Rizvanolli, MCC-ja amerikane ka afate strikte kohore për zhvillim dhe nënshkrim të programit të kompaktit, prandaj gjatë muajve në vijim do të vazhdojnë punën e përbashkët me ekipin e MCC-së në këtë drejtim.

Shqip.com ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e MCC-së, Marc Rockwell-Pate.

Koorporata e Sfidave të Mijëvjeçarit të Qeverisë së SHBA-së

Ai ka shpjeguar gjithashtu se janë “vendet partnere që udhëheqin në përzgjedhjen, zhvillimin dhe zbatimin e projekteve të granteve”.

“MCC mezi pret të vazhdojë partneritetin tonë me Qeverinë e Kosovës, ndërsa punojmë për të zvogëluar varfërinë dhe nxitur rritjen e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ekonomike”, shton më tej ai.

Fjala e kryeministrit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Pavarësisht asaj çka u tha më 30 shtator nga ministrja Rizvanolli e që nxiti reagim te partitë opozitare që e quajtën vendim anti-amerikan, kryeministri Albin Kurti, të hënën ka hedhur poshtë të gjitha akuzat se kinse po dëmtohen marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, sa i përket shtyrjes së këtij projekti.

Kurti sqaroi se informacionet dhe aludimet e shumta, nuk kanë të bëjnë me refuzim, derisa pohoi se janë “në kontakt të vazhdueshëm me MCC”.

“Gjithashtu jemi duke diskutuar se si është më së miri në këtë fazë të përdorim fondet të cilat do të na ndihmojnë për politikat tona energjetike”, tha ai për EO.

“Pra nëse kemi thënë që na duhen më shumë informacion dhe studime, kjo nuk do të thotë se kemi refuzuar, por do të thotë që jemi të përgjegjshëm, fondet amerikane janë të mirëseardhura e të dëshiruara por edhe do të shfrytëzohen nga Qeveria jonë”, shtoi Kurti.

Por, përkundër këtij shpjegimi, Ymeri prapë insiston se u bë gabim.

Sepse, gazsjellësi do të lidhte Kosovën me Greqinë përmes Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë që në të njëjtin gazsjellës është e lidhur edhe Shqipëria përmes një dege të ndarë që kalon nëpër Greqi e Shqipëri për të vazhduar pastaj lidhjen me Italinë.

Greqia dhe Maqedonia e Veriut tashmë kanë nënshkruar marrëveshje për këtë lidhje gazi në të cilën janë dakorduar edhe që t’i ndajnë investimet në pikat kryesore infrastrukturore të tij e që janë, përveç tubacioneve edhe ndërtimi i Terminalit të LNG në Aleksandropolis të Greqisë, si dhe një termocentrali me gaz i ndërtuar me investime nga të dyja shtetet.

Ai thotë se shtrirja e rrjetit edhe në Kosovë e ka pasur edhe këtë qëllim, që përveç përdorimit të gazit si burim energjie në amvisëri dhe industri, të ndërtohet edhe një termocentral me gaz për furnizim me energji elektrike – potencialisht bashkë me Shqipërinë. /Shqip.com