Lajme

Corriere della Sera: Shqipëria, vendi me biletat ajrore më të lira në botë. Këmbanë alarmi për turizmin në jug të Italisë

Prestigjiozja italiane “Corriere della Sera” i ka kushtuar vëmendje një fenomeni që po ndodh në Shqipëri; atij të uljes së fortë të çmimit të biletave të fluturimeve me avion. Ndryshe nga sa po ndodh në vendet e tjera ku çmimet janë rritur ndjeshëm, në Shqipëri rezulton e kundërta e për këtë gazeta italiane jep arsyet.

Në artikull evidentohet se kjo ka ardhur, ndër të tjera, edhe si rrjedhojë e bumit turistik të cilin po e kalon Shqipëria, çka ka bërë që shumë kompani ajrore t’i afrohen vendit. Por arsyeja kryesore, sipas gazetës, është rivaliteti mes dy kompanive low cost, Ryanair e Wizz Air që e ka kthyer Shqipërinë në vendin me biletat ajrore më të lira në botë.

Sipas analizës që ka bërë Corriere në platformat e specializuara, rezulton se në tremujorin e parë të vitit 2024, çmimet janë ulur me 29 % kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë dhe me 54 % në krahasim me vitin 2019. Dhe nëse ndalemi në analizën e çmimeve për fluturimet mes Italisë dhe Shqipërisë, ne 6 muaj rezulton se çmimet janë 66-68 përqind me të ulëta se ato të vitit 2019.

Por nëse për Shqipërinë vlerësohet si diçka pozitive, në artikull evidentohet se për Italinë kjo mund të paraqesë një këmbanë alarmi përsa I përket turizmit të jugut të Italisë. Këtë vit, aeroporti shqiptar Nënë Tereza është kthyer jo vetëm në aeroportin me rritjen më të lartë në Ballkan (14 milionë vende të shitura), por ka kapërcyer edhe porta të rëndësishme për pritjen e turistëve në Itali si Bari, Brindisi, Kaljari, Oblia e Algeron ndërsa po i afrohet edhe Kampanias dhe Siçilisë.

/Shqip.com