Ekonomi

Bie eksporti i prodhimeve vendore, rritet importi

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat për eksportin dhe importin për muajin janar të këtij viti.

Sipas të dhënave, Kosova ka një deficit tregtar më të lartë për 6.4% në muajin e parë të vitit 2023, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2022, gjegjësisht në vlerë prej 291.5 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 273.8 milionë eurosh në vitin 2022.

Eksporti i mallrave kishte vlerën prej 62.1 milionë eurosh, ndërsa importi kishte vlerën 353.7 milionë eurosh, që është një rënie prej -3.2% për eksport, si dhe një rritje prej 4.6% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022. Eksporti mbulon importin me 17.6%.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 25.6%e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 14.3% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 13.6% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 17.2% e përbëjnë produktet minerale; 11.7% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11.2% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 19.7 milionë euro, ose rreth 31.8% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-24.1%). Ndërsa, importet nga vendet e BE-së ishin rreth 149.3 milionë euro, ose 42.2% e importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-9.9%).

Në muajin janar 2023, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 25.9 milionë euro ose 41.8% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 65.9%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-së ishin: Maqedonia e Veriut (19.2%), Shqipëria (10.2%), Mali i Zi (6.1%), dhe Serbia (5.1%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin janar 2023, arritën në 54.4 milionë euro, ose 15.4% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 7.1%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (5.1%), Shqipëria (4.6%), dhe Maqedonia e Veriut (4.4%).

/Shqip.com