Kulturë

Avdush Canaj boton librin poetik “Edhe ëndrrat në pranga”

Shkrimtari i njohur për fëmijë e të rinj, Avdush Canaj vjen me librin e tij të fundit poetik të titulluar: “Edhe ëndrrat në pranga”. Ai tashmë ka një traditë të gjatë letrare dhe është dëshmuar me lirikat e tij poetik jo vetëm brenda kufijve shqiptar.

Poezitë janë të shkruara para dyzet vitesh, në momente të ndryshme, kanë një gjuhë të pastër me një stil të rrjedhshëm, qëndisur me figura poetike, ku dominon metafora.

Sipas vlerësimit kritik, liria absolute i mbeti mendjes, asaj të pakontrollueshmes e të pandalshmes. Kjo liri mendjeje i dha dorë autorit (Avdush Canaj) që edhe me tagrin e sakrificës, brenda burgut, të hedhë nëpër fije të letrës së cigareve botën fiktive, pothuajse si motërzim autentik i botës reale.

E, sa i përket titullit të librit, shkrimtari Avdush Canaj për mediumin Shqip.com ka thënë se është krejtësisht simbolik. “Titulli është simbolik. “Edhe ëndrrat me pranga”, tregon për terrorin e ujqërve nëpër ferrin dantesk që na është bërë pse e donim dhe e kërkonim lirinë tonë të mohuar. Në atë ferr kush e di sa herë na vranë, por ne ringjalleshim, ngriheshim në këmbë sërish”, ka thënë Canaj. 

Avdush Canaj

Tematika e librit “Edhe ëndrrat në pranga” është jeta mes telash me gjemba, ku mbi ne bëhej një dhunë e paparë, çnjerëzore, natën e ditën.

“Dhe jeta jonë ishte në dorën e cerberëve, ujqërve, hienave. Ishte si në filmat horror. Qëndresa jonë i çmendte ata. Me veshët e mi e kam dëgjuar një xhelat serb, oficer i lartë i Sigurimit Ushtarak në Sarajevë: “Mjaft për sonte! Këta nuk janë njerëz! Nuk lëshojnë asnjë ofshamë!” Ishte tepër tmerruese, andaj edhe poezitë janë tronditëse”, ka thënë poeti Avdush Canaj, në një intervistë për mediumin Shqip.com.

Vëllimi poetik “Edhe ëndrrat në pranga” ka një lidhshmëri. Është i ndarë në katër njësi ciklike: Syri i ferrit, Kur përplasin derën e qelisë, Do të vij me diellin në duar dhe Kur dola nga ferri.

Sipas autorit, do të thotë: hapet dera e ferrit, dënohesh me pesë vjet burgim të rëndë pse e do Nënë tënde e jo Njerkën, i mbanë ato mbi shpinë pa u përkulur, dhe pas kësaj kohe të hapën dyert, del edhe më i fortë se kur hyre.

Libri

Ky libër është zë i lirisë. Dëshmi se ç’rrugë kemi bërë deri tek liria që e gëzojmë sot në Dardaninë tonë.

/Shqip.com