Arrestimi i ish-agjentit të FBI-së zbulon lidhjet me oligarkun rus
Me urdhër të gjykatës, agjentët e Byrosë Federale të Hetimit (FBI) në SHBA, kanë zhvilluar një aksion për të konfiskuar pajisjet elektronike si telefonat celularë, kompjuterët, tabletët dhe pajisje të tjera të ngjashme të ish-diplomati rus dhe njëherësh edhe agjent i pensionuar i FBI-së.
Sekuestrimi i këtyre pajisjeve u zhvilluar pa u dhënë ndonjë detaj për publikun, madje as Departamenti amerikan i Drejtësisë nuk ishte në dijeni se pse apo për kë po realizohej një gjë e tillë.
Tetë ditë më vonë, një dosje e re u shfaq në bazën e të dhënave të agjentëve të huaj të Departamentit të Drejtësisë, ku njerëzit dhe kompanitë që përfaqësojnë drejtorët e huaj u kërkohej ligjërisht të zbulonin klientët dhe veprimet e tyre. Deklarimi ishte nga Sergei Shestakov, një ish-diplomat rus, i cili më vonë punoi si përkthyes për zyrën e avokatit të SHBA-së në Manhatan.
Dokumenti tregoi se një zyrtar i lartë nga kompania që i përkiste magnat rus, Oleg Deripaska, kishte kërkuar “ndihmë profesionale” nga Shestakov. Zyrtari, i identifikuar si Yevgeny Fokin, komunikonte në mënyrë periodike me Shestakov dhe Shestakov tha se ai kërkoi ndihmën e Charles McGonigal – “një profesionist sigurie“.
Akuzat kundër ish-agjentit të FBI-së, se ai ka shkelur sanksionet duke punuar për oligarkun rus, Oleg Deripaska, vijnë në kohën kur autoritetet amerikane janë duke shtuar presionin kundër rusëve të pasur, për shkak të pushtimit të Ukrainës nga ushtria ruse.
Shestakov afër një muaji më vonë paraqiti një dosje të përditësuar, duke thënë se ai po përfundonte regjistrimin e tij për punë në emër të Fokin.
Për një sërë arsyesh, rasti ka tronditur inteligjencën amerikane dhe personelin e zbatimit të ligjit për faktorin kryesor: Deri në vitin 2018, veterani i FBI-së, McGonigal, i cili ka kryer 22 vjet shërbim, shërbeu si agjenti kryesor i kundërzbulimit të byrosë, duke menaxhuar dhe marrë pjesë në hetimet e spiunëve rusë në vend, si dhe oligarkëve.
Kjo përfshin edhe Deripaskan.
“Ky rast me të vërtet më tronditi mua, edhe pse e kam menduar veten si person gjakftohtë”, tha Miriam Baer, ish-asistente e avokatëve në SHBA-së në Distriktin Jugor të Nju Jorkut, zyrë e fuqishme e prokurorisë federale të Manhatanit-it që ngriti akuzat kundër McGonigal – dhe me të cilën McGonigal mendohet se ka punuar në të kaluarën.
Sipas Baer, pyetjet tjera shqetësuese tani nuk janë vetëm pse McGonigal dyshohet se kreu akte kriminale, por edhe nëse ai ka vepruar i vetëm, nëse ka të tjerë që kanë qenë në dijeni dhe pse askush në një zyrë të lartë si e FBI-së nuk ka dyshuar.
“Nëse ky do është një agjent vërtetë ‘mashtrues’, ndoshta nuk ka nevojë të shqetësohet për persona të tjerë… Nëse sjellja e tij implikon një komplot më të madh që përfshin personelin tjetër të FBI-së, atëherë unë do të mendoja se përfshirja e personave të tjerë ka më shumë gjasa dhe normalisht është një shqetësim i madh”, tha Baer, tani profesor i drejtësisë në Shkollën Juridike të Bruklinit.
Deripaska, një biznesmen i pasur me lidhje të ngushta me Kremlinin, i cili ka qenë në radarin e inteligjencës dhe agjencive ligjzbatuese amerikane, për të mos përmendur qarqet politike për të paktën dy dekada, është rikthyer gjithashtu në qendër të vëmendjes nga ky rast.
“Aftësia e [Deripaskas] për të depërtuar në qarqet e fuqishme ligjore dhe tani në qarqet e zbatimit të ligjit, është mjaft e mahnitshme”, tha për Radion Evropa e Lirë, Louise Shelley, një akademike që studion korrupsionin dhe krimin transnacional në Universitetin George Mason dhe që u shfaq në një panel diskutimi me McGonigal në 2020.
McGonigal, i cili u arrestua teksa ishte duke mbërritur në Aeroportin Ndërkombëtar John F. Kennedy të Nju Jorkut më 21 janar, u lirua me kusht pasi u deklarua i pafajshëm gjatë paraqitjes së tij të parë në gjykatë. Paraqitja e tij e radhës është planifikuar për në mars.
“Siç e dini të gjithë, Charlie kishte një karrierë të gjatë dhe të shquar me FBI-në… Ai i shërbeu Shteteve të Bashkuara për dekada. Kjo është padyshim një ditë shqetësuese për zotin McGonigal dhe familjen e tij”, tha avokati i tij mbrojtës Seth DuCharme para gazetarëve.
“Fushatë e madhe, shumëmilionëshe për ndikim politik”
Dy aktakuza janë ngritur kundër McGonigal: njëra u soll nga prokurorët federalë në Uashington dhe lidhet me punën që ata pretendojnë se McGonigal ka kryer në emër të interesave shqiptare, duke përfshirë dështimin për të zbuluar një “marrëdhënie të vazhdueshme me kryeministrin e Shqipërisë“.
Aktakuza e dytë, e ngritur në Nju Jork synon Deripaskan i cili ka qenë subjekt i thashethemeve prej vitesh për lidhjet me grupet e dyshuara të krimit të organizuar, duke përfshirë Semyon Mogilevich, një miliarder ruso-ukrainas, i cili më parë ishte në listën e dhjetë më të kërkuarve të FBI-së.
Deripaska nuk iu përgjigj një e-maili të dërguar përmes kompanisë së tij mbajtëse EN+. Një zëdhënëse, ndërkohë, tha për New York Times se Deripaska nuk e punësoi McGonigal për asnjë qëllim dhe gjithashtu Deripaska nuk kishte qenë kurrë i afërt presidentit rus, Vladimir Putin.
Shumë ekspertë rusë dhe zyrtarë amerikanë kanë arritur prej kohësh në përfundimin se oligarkët si Deripaska janë në gjendje të ruajnë pasurinë e tyre, për sa kohë që qëndrojnë në anën e mirë të Putinit dhe Kremlinit. Zyrtarët e Departamentit amerikan të Shtetit thanë se Deripaska ka marrëdhënie veçanërisht të ngushta personale me ministrin e Jashtëm, Sergei Lavrov.
Departamenti i Shtetit filloi të refuzonte vizat e Deripaskas në vitin 2006 për shkak të dyshimeve për lidhjet e tij me krimin e organizuar. Për shkak të sfidave, ai më vonë punësoi një kompani të fuqishme lobimi në Uashington, të kontrolluar nga një ish-kryetar i Partisë Republikane me ndikimin e ish-udhëheqësit të Senatit Republikan, Bob Dole.
Ai krijoi gjithashtu një lidhje financiare me Paul Manafort, një operativ tjetër politik republikan që kishte punuar më parë për Dole. Në vitet 2000, Manafort u përpoq të ndihmonte Deripaskan me çështjet e vizave, por të dy u grindën për një sipërmarrje të dështuar biznesi.
Pastaj më vonë, Manafort menaxhoi fushatën presidenciale të Donald Trump në 2016 deri në shkarkimin e tij si rezultat i informacioneve në lidhje me mbështetjen e tij për zyrtarët pro-rusë në Ukrainë. Për më tepër, ai është akuzuar se i ka dhënë Konstantin Kilimnik, një ruso-ukrainas, i cili punonte për Deripaskan dhe i referohej si “një zyrtar i inteligjencës ruse” nga Komiteti i Inteligjencës së Senatit, materiale të klasifikuara të fushatës zgjedhore.
Një zyrtar i DASH-it i tha Radios Evropa e Lirë se Deripaska udhëtoi në SHBA dhjetëra herë midis 2011 dhe 2014 duke përdorur një pasaportë diplomatike ruse. Ky fakt u mbështet më vonë nga dokumentet gjyqësore të paraqitura në një tjetër padi të lidhur me Deripaska në Shtetet e Bashkuara.
Deripaska thuhet se vizitoi Shtetet e Bashkuara në 2009 nën një marrëveshje të fshehtë me FBI-në.
Në vitin 2018, Manafort u akuzua për pastrim parash dhe mashtrim financiar dhe u dënua nga një juri federale. Trump e fali atë në dhjetor 2020, vetëm disa javë para përfundimit të mandatit të tij presidencial.
Sipas një raporti të Komitetit të Inteligjencës së Senatit të vitit 2020, “Manafort i zbatoi këto operacione ndikimi në emër të Deripaskës, duke përfshirë një fushatë të gjerë ndikimi politik shumëmilionë dollarësh drejtuar në shumë vende me interes për Deripaskan dhe Qeverinë ruse” midis viteve 2004 dhe 2009.
Deripaska ishte gjithashtu në shënjestër të zbatimit të ligjit të SHBA-së midis viteve 2014 dhe 2016. Sipas The New York Times, zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë u përpoqën, por nuk arritën ta regjistronin atë si informator, në mënyrë që të merrnin informacione mbi krimin e organizuar rus dhe mendimin e Kremlinit.
Në prill 2018, Deripaska dhe kompania e tij e aluminit u goditën me sanksione.
FBI bastisi dy shtëpi në pronësi të Deripaskas ose subjekteve juridike të lidhura me të në Nju Jork dhe Uashington, në tetor 2021. Deripaska u ankua për bastisjet dhe atë që ai e quajti “marrëzi transcendentale… e establishmentit amerikan“.
Muajin tjetër, agjentët e FBI-së sekuestruan telefonat celularë dhe pajisjet e tjera nga McGonigal dhe Shestakov.
“Nën mbikëqyrje … të hetimeve të oligarkëve rusë, përfshirë Deripaska”
McGonigal filloi me FBI-në në vitin 1996, kur u caktua për herë të parë në zyrën e byrosë në Nju Jork, ku punoi në “çështjet e kundërzbulimit të huaj rus dhe krimit të organizuar“, sipas biografisë së tij zyrtare.
Ai punoi për vite në Uashington për rastet e kundërspiunazhit.
Në vitin 2016, ai u emërua agjent special i ngarkuar me divizionin e kundërzbulimit të zyrës së Nju Jorkut, ku sipas aktakuzës, ai “mbikëqyri dhe mori pjesë në hetimet e oligarkëve rusë, përfshirë Deripaskan”.
Sipas dëshmisë së Senatit në 2000 nga një zyrtar i lartë i Departamentit të Drejtësisë, McGonigal ishte gjithashtu i rëndësishëm në nisjen e operacionit “Crossfire Hurricane” – hetimin e FBI-së për fushatën e Trump dhe lidhjet e mundshme me ndikimin rus.
Prokurorët pretendojnë se në vitin 2018, Shestakov e prezantoi McGonigal me një burrë që “punonte e raportonte te Deripaska dhe shërbeu si oficer i një korporate që ishte në pronësi kryesisht nga Deripaska”.
Nuk dihet kur dhe si u takuan për herë të parë McGonigal dhe Shestakov. Shestakov, i cili jetonte në Konektikat, punoi si përkthyes i autorizuar për gjykatat federale, si dhe në Zyrën e Prokurorit të SHBA-së në Manhatan, ku me shumë gjasa u takua me McGonigal.
Shestakov u largua nga Ministria e Jashtme ruse në vitin 1993 dhe më vonë mori shtetësinë amerikane.
Ashtu si Shestakov, një burrë i identifikuar në aktakuzë si “Agjenti-1″ punonte për ministritë e jashtme sovjetike dhe ruse. Ai gjithashtu “thuhet në raportet e mediave publike se ishte një oficer i inteligjencës ruse“.
Burri nuk është i identifikuar, por dosjet e Shestakovit në FARA, së bashku me raportet e tjera të mediave ruse dhe perëndimore, tregojnë për Yevgeny Fokin, aktualisht drejtor i bashkëpunimit ndërkombëtar për EN+, kompania e aluminit dhe prodhimit të energjisë e kontrolluar nga Deripaska.
Fokin nuk iu përgjigj mesazheve të dërguara përmes LinkedIn. Po ashtu, kompania EN+ nuk iu përgjigj pyetjeve të dërguara përmes postës elektronike.
Në pranverën e vitit 2018, sipas aktakuzës, Shestakov e prezantoi McGonigal me “Agjentin-1”, i cili më pas i kërkoi McGonigalit ndihmë që të fitonte punë praktike për vajzën e “Agjentit-1” në Departamentin e Policisë së Nju Jorkut. McGonigal pranoi të ndihmonte dhe informoi një mbikëqyrës se donte të rekrutonte “Agjentin 1”. Është e paqartë nëse McGonigal ishte i suksesshëm.
Ai u largua nga FBI-ja në shtator të vitit 2018 për të punuar në sektorin privat.
Një vit më pas, McGonigal u punësua si konsulent nga një firmë ligjore në Uashington për të punuar në përpjekjet për ta hequr Deripaskan nga lista e sanksioneve të Thesarit të SHBA-së. Sipas aktakuzës, ai organizoi që 25.000 dollarë të depozitoheshin në baza mujore në një llogari bankare të kontrolluar nga Shestakov.
Puna e McGonigal në FBI i lejoi atij qasje në informacione të klasifikuara, duke përfshirë atë që aktakuza thotë se ishte një listë e atëhershme sekrete e rusëve që po shqyrtoheshin për sanksione nga Departamenti i Thesarit, ku përfshihej edhe Deripaska.
Në aktakuzë gjithashtu është thënë se Deripaska punësoi McGonigal si “Agjent-1” për të hetuar një oligark rival rus.
Emri i magnatit nuk bëhet i ditur, por sipas dosjes, ai dhe Deripaska po luftonin për kontrollin e një “korporate të madhe ruse” dhe oligarku mund të ketë asete në det të hapur ose shtetësi të dyfishtë. McGonigal dhe Shestakov akuzohen se kanë përdorur pseudonime në komunikimet elektronike, për të fshehur identitetin e Deripaskas, duke iu referuar atij si “ti e di kush”, “djaloshi i madh”, “miku ynë nga Vjena” dhe “klienti”.
Sipas aktakuzës, në tetor 2021, McGonigal po negocionte me “Agjentin-1 dhe Deripaskan për pagesën për një numër të madh skedarësh të zbuluar në “dark web” – një pjesë e internetit që është kryesisht e fshehur nga shikimi i lehtë – që dyshohet se kanë lidhje ndaj oligarkut rival.
FBI sekuestroi celularët dhe kompjuterët e McGonigal dhe Shestakov në muajin pasues.
Pastrim parash, jo spiunazh
Akuzat specifike kriminale të prokurorëve nuk i drejtohen drejtpërdrejt hyrjes së pretenduar të McGonigal në bazën e të dhënave të klasifikuara, as nuk trajtojnë çështjen e ndihmës së tij për vajzën e “Agjentit-1” për të fituar punë praktike.
Për disa vëzhgues ligjorë, kjo ka ngritur pyetje përse Departamenti i Drejtësisë nuk ka ngritur akuza më serioze.
“Mund të jetë se prokurorët kanë pasur arsye për të dashur të veprojnë tani dhe jo më vonë…Nëse po, ata logjikisht do të zgjidhnin ato akuza për të cilat kishin më shumë prova…Një prokuror gjithmonë mund të shtojë akuza duke u kthyer në jurinë e madhe për një aktakuzë zëvendësuese”, tha Baer për Radion Evropa e Lirë.
Deripaska, nga ana e tij, përballet me akuzat e tij penale të lidhura me shmangien e sanksioneve, që nuk lidhen me pagesat e tij të supozuara për McGonigal.
Shtatorin e kaluar, prokurorët amerikanë hapën një padi që e akuzonte atë se kishte komplotuar që e dashura e tij të lindte fëmijën e tyre në Shtetet e Bashkuara dhe për të fshehur pagesat. Në lidhje me këtë rast është arrestuar një grua ruso-amerikane.
Në vitin 2020, në një ngjarje të përshkruar për herë të parë nga media Business Insider, McGonigal u bashkua një panel diskutimi në institutin e mendimit në Uashington, Këshilli Atlantik, ku ai diskutoi korrupsionin në agjencinë kryesore të inteligjencës ruse, Shërbimin Federal të Sigurisë, i njohur si FSB.
“Unë mendoj se sundimi i ligjit nën FSB… ka gërryer ndjeshëm në Rusi… Ju po shihni një përkeqësim, mendoj unë, në sundimin e ligjit që lidhet me FSB-në dhe kryerjen e përgjegjësive të tyre si agjenci e brendshme e sigurisë”, i tha ai panelit.
“Do të ishte njësoj sikur të kishte në Shtetet e Bashkuara, FBI një element mashtrues, që vepron me urdhër të ofertuesit më të lartë, të përfshirë në aktivitete kriminale”, tha ai. /REL
/Shqip.com