Sport Shqiptar

Antalia e Turqisë mbetet vendi i preferuar i skuadrave kosovare për përgatitje

????????????????????????????????????

Tash e disa vite skuadra kosovare përgatitjet për stinorin pranveror po i kryejnë në Turqi.

Klubet kosovare përgatiten në kushte optimale në bregdetin e Antalias për rreth dy javë ku kanë mundësi që të zhvillojnë edhe ndeshje të forta përgatitore me ekipet që ndodhen atje, zakonisht nga Evropa Lindore dhe jo vetëm.

Edhe në këtë dimër, shumica e skuadrave të Superligës së Kosovës në futboll do të përgatiten në Antalia teksa planifikohet që të udhëtojnë në mes të muajit janar.

Ndryshe, edhe në këtë edicion sikurse në të kaluarën, Superkupa e Kosovës në futboll do të luhet në Antalia më 19 janar në mes Ballkanit dhe Llapit, në mes të fazës përgatitore.

Lexo edhe:
EKSKLUZIVE: Superkupa e Kosovës Ballkani– Llapi luhet në Turqi, kjo është data e zhvillimit të ndeshjes

Krahas Ballkanit dhe Llapit, Shqip.com mëson se në Antalia edhe në këtë dimër do të udhëtojnë: Prishtina, Drita dhe Dukagjini.

Edhe Malisheva pritet të përgatitet në Antalia derisa ekipet e tjera ende nuk kanë vendosur.

Trajner i Malishevës, Sami Sermaxhaj i kontaktuar nga Shqip.com ka thënë se faza përgatitore në kushte sikurse të Antalias është shumë e rëndësishme.

“Kushtet për punë jo vetëm 10 ditë, por 300 ditë duhet të jenë optimale për punë. Përgatitjet janë bazë e fortë për garat kampionale. Përgatitjet në vendet me kushte optimale për punë kanë impakt të madh. Kushtet këtu nuk janë aq të volitshme andaj kryerja e një faze të përgatitjeve në Antalia është e rëndësishme atje. Malisheva edhe dy vitet e fundit i ka kryer përgatitjet në Turqi e presim që edhe sivjet të udhëtojmë”, ka thënë të mërkurën Sami Sermaxhaj.

Një nga aranzhuesit e udhëtimeve në Antalia, Amir Prepolli, flet për rëndësinë e përgatitjeve të skuadrave në kushte sikurse të Antalias.

“Si fillim, koha është shumë e mirë në Antalia edhe në muajin janar. Kushtet janë shumë të mira me fusha stërvitore tejet të përshtatshme. Në Antalia skuadrat e kanë çdo gjë të aranzhuar duke nisur nga ushqimi, fjetja dhe stërvitjet”, ka thënë Amir Prepolli për Shqip.com.

“Në përgatitje skuadrat kanë mundësi që të zhvillojnë edhe ndeshje përgatitore. Gjithashtu, këto faza i përcjellin edhe shumë skautë të futbollit dhe klubet mund të arrijnë marrëveshje edhe për transferime eventuale”, vlerësoi Amir Prepolli për Shqip.com.

Garat në futbollin e Kosovës rifillojnë me 4-5 dhe shkurt të vitit të ardhshëm me ndeshjet e fazës 1/8 të Kupës së Kosovës.

Kampionati rifillon një javë më vonë.

/Shqip.com