Zv.ministrja: Vrasja e gruas në Llaushë mund të parandalohej nëse përgjigja institucionale do të ishte e drejtë

Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala, tha se vrasja e gruas në Llaushë të Skënderajt mund të ishte parandaluar nëse përgjigja institucionale do të ishte e drejtë, përcjell Shqip.com.
Teksa foli për këtë, Shala përmendi edhe vrasjen e një gruaje në lagjen “Emshir” të Prishtinës në mars të vitit 2020 ku theksoi se kishte lëshime nga ana e zyrtarëve policorë.
”Është raportuar edhe në raste të tjera. Në rastin e vrasjes në Emshir, në mars të vitit 2020, nga një analizë e fakteve në lidhje me atë rast, është konstatuar se edhe në atë rast ka munguar prezenca e mbrojtësit të viktimë dhe për më shumë ka pasur lëshim nga ana e zyrtarëve policorë.
Kemi disa procedura standarde të veprimit. Është një dokument i cili përcakton veprimet specifike të cilat janë përgjegjëse për t’u kryer nga secili institucion përgjegjës për t’u përgjigjur në një rast të dhunës në familje”, u shpreh ajo në Klan Kosova.
Sipas saj, javën e ardhshme pritet që Qeveria e Kosovës ta miratojë Strategjinë Nacionale për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje që thotë se përmes saj synohet përmirësimi i situatës.
“Në javën që vjen të qeverisë do të miratohet Strategjia Nacionale për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, e cila është një strategji në të cilën kemi punuar të gjitha institucionet, përfshirë edhe shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë dhe kemi identifikuar mbi 140 aktivitete me të cilat synojmë që të kemi përmirësim të situatës”, shtoi ajo.
Ndryshe, të mërkurën, një grua dyshohet se u qëllua për vdekje nga burri i saj në Llaushë të Skënderajt.
Sipas Policisë së Kosovës, viktima kishte raportuar bashkëshortin e saj një javë më herët për “dhunë në familje”, por që i njëjti ishte liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, organizatat e shoqërisë civile, njohësit e çështjeve të drejtësisë kanë kërkuar dënimin e prokurores në fjalë për lirimin e dorasit të kësaj vrasjeje./SHQIP.com