Lajme

Kërkohet të ndëshkohen prokurorja e rastit dhe Mbrojtësi i Viktimave- KPK ende në heshtje

Keshilli Prokurorial i Kosoves

Këshilli Prokurorial i Kosovës ende nuk ka marrë masa ndaj personave zyrtar përgjegjës për neglizhimin e rastit të së ndjerës Lirije Qerimaj të denoncuar me 1 janar.

Prokuroria kujdestare, Stojanka Kasalovq e kishte liruar të dyshuarin Skender Qerimaj me procedurë të rregullt, duke e lënë kështu të kryente katër ditësh pas veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Në anën tjetër, mbrojtësi zyrtar i KPK-së përgjegjës për mbrojtjen e viktimës, kishte kërkuar që lënda të niset përmes mjetit elektronik, duke e arsyetuar mos praninë fizike “se mbrojtësit e viktimave nuk paraqiten në të gjitha rastet në intervista, përjashtuar në disa raste të caktuara”.

Shqip.com, ka dërguar pyetje në këtë institucion, por që i njëjti nuk është përgjigjur deri në momentin e publikimit.

Neglizhenca e institucioneve të drejtësisë për t’u marrë me rastin

Njohësi i çështjeve të drejtësisë, Ehat Miftaraj vlerëson se vrasjet dhe dhuna ndaj grave po rriten pikërisht si pasojë e neglizhencës së autoriteteve.

 “Dhuna në familje, dhuna mbi bazë gjinore përfshi vrasjet e grave fatkeqësisht janë kthyer në dukuri në Kosovë, dhe kjo ndodh jo rrallë herë si rezultat i neglizhencës nga ana e institucioneve kompetente për të ushtruar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që ua cakton ligji”.

Sipas Miftarajt, neglizhenca e rasteve po ndodh si pasojë e amnistimit me dashje të prokurorëve.

Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj.

“Kur kësaj i shtohet fakti se sistemi prokurorial në mënyrë sistematike amniston prokurorë dhe nuk i mban llogaridhënës ata kur bien në kundërshtim me ligj ose neglizhojnë detyrat e tyre. Raste si në Llaushë ndodhin mu për arsye se sistemi prokurorial me dashje, amniston prokurorët për shkak te neglizhencës së cilëve ndodhin vrasje mbi bazën e dhunës në familje si Rasti i Sebahate Morinës, dhe amnistimi i Prokurorisë Themelore në Prishtinë”, deklaroi Miftaraj.

Kosova në shifra, rastet e dhunës dhe vrasjeve në vitin 2021

Vetëm gjatë vitit 2021 janë shënuar tre raste të vrasjes së grave. Prej tyre, dy ishin gra të vrara nga bashkëshortët.

Përveç vrasjeve, gratë janë edhe pre e dhunës fizike e psiqike.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës gjatë vitit 2021 janë raportuar 1374 raste për dhunë në familje, prej së cilave në 1063 raste viktima kanë qenë grat.

Rrjeti i Grave të Kosovës: “Të merren masa ndaj prokurorit”

Nga Rrjeti i Grave të Kosovës, Adelina Berisha thotë se situata nuk do të ndryshoj pa identifikimin dhe ndëshkimin e prokurorëve që neglizhoj detyrën.

“Është shqetësues fakti që KPK dhe Prokurori i Shteti nuk është duke u marrë me i gjetë prokurorët të cilët nuk po i trajtojnë me seriozitet rastet e dhunës ndaj grave dhe vrasjet ndaj grave.

Adelina Berisha- Rrjeti i Grave të Kosovës

Ne, (RrGK) presim që në këtë rast veçanërisht marrë parasysh barrën dhe veprën e rëndë që ka ndodh si pasojë e mos efikasitet të punës së prokurorisë që KPK dhe Prokurori i shtetit të marrin masa ndaj prokurorit përgjegjës që çoi deri të vrasja e zonjës në Skenderaj”, ka përfunduar Berisha për Shqip-in.

Protesta për drejtësi në Skenderaj

Për të reflektuar ndaj situatës, organizatat joqeveritare për mbrojtjen e të drejtave të grave kanë organizuar edhe protestë gjatë së premtes në Skenderaj.

Sevdije Hoxha-Ymeri nga  “Gratë Intelektuale të Drenicës”, tha se kërkojnë që rasti të trajtohet në mënyrë dinjitoze.

“Ne, gratë e Drenicës kemi dalë për të mbrojt të gjitha të drejtat e grave. Lus Zotin që asnjë rast të mos ndodh më. Në emër të grave të kërkojmë që rasti të ekzekutohet në mënyrën më dinjitoze. Kërkojmë drejtësi për Lirije Qerimajn. Boll më vrasje, boll më”, u tha në protestë.

Protesta në Skenderaj

Përveç organizatave joqeveritare, thirrje mënyrën e trajtimit të rastit të Qerimajt kanë bërë edhe autoritetet zyrtare.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një reagimi në Facebook, ka kërkuar që të merren masa ndaj prokurores së rastit dhe Mbrojtësit të Viktimave.

Kjo pasi, sipas Haxhiut, “asnjëra nuk i ka kryer detyrat prandaj duhet të ndërmerren masa urgjentisht!”.

Edhe kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Ismet Ujkani, që t’i shqyrtojë të gjitha veprimet e prokurores së rastit.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi

Përmes një komunikate për media nga zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, thuhet se do të ndërmerren masat e nevojshme ndaj prokurores, varësisht prej të gjeturave.

“Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Ismet Ujkani, si autoritet kompetent, që të shqyrtojë të gjitha veprimet e prokurores lidhur me rastin e viktimës L.Q nga Llausha e Skenderajt dhe nga të gjeturat eventuale t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, thuhet në komunikatë./Shqip.com