Lajme

Haxhiu: Për vrasjen në Llaushë janë përgjegjës institucionet

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj vrasjes në Llaushë të Skenderajt, ku një burrë dyshohet ta ketë vrarë gruan e tij.

Haxhiu, ka drejtuar gishtin tek institucionet përgjegjëse dhe se në lidhje me vrasjen duhen marrë masa disiplinore ndaj “të gjithë atyre që nuk mbrojtën jetën e të ndjerës”.

“Edhe sa gra duhet të vriten nga bashkëshortët, në mënyrë që të ketë veprime dhe reagime të menjëhershme në rastet e dhunës në familje? Për vrajsen e rëndë në Llaushë të Skenderajt janë përgjegjës institucionet prandaj përveç dënimit maksinal për vrasësin, urgjentisht duhet të ndërmerren masa disiplinore e penale ndaj të gjithë atyre që nuk mbrojtën jetën e të ndjerës”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Shiriti i policisë

Në fund, ajo ka deklaruar se zyrtarët që e kanë neglizhuar rastin “nuk kanë vend në institucione”.

Të mërkurën e 5 janarit kishte ndodhur një vrasje në fshatin Llaushë të Skenderajt.

S.Q, 51 vjeçar dyshohet ta ketë vrarë bashkëshorten e tij, L.Q, 48 vjeçare.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, për Shqip.com, ka deklaruar se rreth një javë më parë i dyshuari ishte arrestuar për dhunë në familje.

Sipas Zahitit, pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar pasi që nuk ka pasur elemente për ndalimin e tij.

“I dyshuari ka qenë vetëm një herë në Policinë e Kosovës për një vepër penale. Rasti ka qenë vetëm për dhunë në familje. Është liruar në procedurë të rregullt pasi që është liruar nga prokurori sepse nuk ka pasur elemente për ndalim të tij policor”, tha Zahiti./Shqip.com