Lajme

Pak ditë pasi doli nga spitali, Eva Pango bën thirrje për djegien e bizneseve

Eva Pango ka reaguar në lidhje me protestat e studentëve, duke publikuar një video para se ajo të lëndohej.

Në video, Pango shihet teksa tregon ambientet e “Iute Credit”, që digjen pasi është hedhur molotov nga protestuesit, ndërsa thotë se mes flakëve do të përfundojnë të gjitha institucionet shtetërore.

Krahas videos, Eva bën thirrje që të ketë sërish revolta të dhunshme. Ajo shton se protestuesit nuk duhet të shqetësohen nga masat e paralajmëruara nga kryeministri Edi Rama, pasi nuk kanë çfarë të humbasin.

“Kur u dogj IUTE hajduti… Video te Ministria e Arsimit, një ditë përpara se të qëllohesha! Po e ripostoj se shumë qetësi është bërë këto ditë… Mos u trembni nga gjobat që thonë këta, le t’i paguajnë vetë, ne s’kemi çfarë humbasim!”- shkruan ajo në videon e publikuar dje në rrjetet sociale, vetëm disa orë pasi la ambientet e spitalit të Traumës, ku qëndroi e shtruar për më shumë se 10 ditë.

Por pavarësisht lëndimit, qindra personave që kanë mbetur të lënduar përfshirë dhe efektivët e Policisë, aktivistja që ka dhe një blog të sajin në rrjetet sociale, iu është rikthyer thirrjeve për dhunë.

©️Shqip.com