Pse PD-ja duhet të vajtojë në vend të ngazëllimit për rënien e Vuçiç në Serbi
Nga Adriatik Doçi
Ka një ngazëllim të sforcuar dhe paradoksal në qarqet e oppzitës shqiptare për ndryshimet politike në Serbi, ku një lëvizje (mozaiku më radikal nacionalist) rrëzoi nga pushteti pas 14 vitesh Aleksandar Vuçit, i cili ka luajtur sha mes BE-së, Rusisë dhe Kinës.
Ky ngazëllim është reflektim i iluzionit se Vuçit është miku i Edi Ramës dhe se me rënin e tij në Beograd do të bie edhe Edi Rama në Tiranë, duke i përfytyruar si dy skajet e një ure.
Së pari, është thënë se dhe janë ushqyer me iluzione të humbura demokratët nga Nongrata se Edi Rama i kishte ditët e numëruar edhe kur humbi pushtetin Nikolla Gruevski në 2016, kur humbi pushtetin Milo Gjukanoviç në 2020, kur u rrëzua nga pushteti Nicolas Maduron në janar 2026, kur ndryshoi pushteti në maj 2026 në Bullgari, kur ra nga pushteti Viktor Orbán në prill 2026 etj. Pas gjithë këtyre ndryshimeve dhe përmbysjeve në Ballkan dhe më gjerë, koha tregoi se Edi Rama jo vetëm qëndroi, por rriti edhe numrin e mandateve, duke forcuar pozitat.
Së dyti, lëvizja mbështetur nga studentët në Serbi, e cila përbëhet nga elementët më ekstremë nacionalistë, ka një qasje më radikale se Vuçic në raport me Kosovën. Ilija Srdanoviç, i cili kryesoi listën “Studentët fitojnë”, ka deklaruar se Kosova është pjesë e Serbisë. Jo vetëm kaq. Lëvizja ka paralajmëruar rishqyrtimin e marrëveshjeve të dialogut me Kosovën, të miratuara nga pushteti i Vuçiç nën presionin e SHBA-BE. Lëvizja fituese ka sinjalizuar zhbërjen e dokumenteve që parashikojnë respektimin e integritetit territorial dhe detyrimin që Serbia të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Praktikisht, pushteti i ri ka ardhur me premtimin e kthimi mbrapa të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, duke i tërhequr drejt kohës së Millosheviçit. Vetëm në këtë pikë mund të përligjet hareja e opozitës, me në krye Sali Berishën, i cili akuzohet se ka furnizuar Millosheviçin me naftë duke thyer embargon e OKB, ka përndjekur dhe akuzuar UÇK-në si bandë marksise me gjuhën Beogradit si dhe akuzohet se urdhëroi zhdukjen e Remzi Hoxhës si dëshmitar i takimit të tij me Millosheviçin në Ohër.
Së treti, ndryshimi i pushtetit në Serbi u diktua nga një lëvizje historike protestash paqësore dyvjeçare të studentëve, duke u finalizuar në një formacion politik, farkëtuar një përfaqësues politik dhe sfiduar në zgjedhje pushtetin 14-vjeçar të Vuçiçit. Në Tiranë kishte një lëvizje të ngjashme, ajo e Flamingove, por që zgjati vetëm dy javë, duke degraduar në një futë sharlatanësh që ndesheshin çdo natë me njëri-tjetrin para Kryeministrisë, duke shpallur secili qeverinë e tij imagjinare, manifestin dhe platformën groteske.
Në vend të një formacioni politik, i cili mund të sfidonte pushtetin e Edi Ramës në zgjedhje, lëvizja e verës në Tiranë prodhoi në vjeshtë një revolucion postflamingo, me grupe me natyrë guerile, duke shënjuar valën më të madhe të dhunës dhe shkatërrimit që nga errësia e viteve 1997-1998.
Nëse opozita shqiptare u kap në befasi dhe nuk arriti të njësohej plotësisht me lëvizjen e Flamingove, PD-ja tashmë organizon aktet vandaliste, shkatërrimin dhe sulmet ndaj policisë, në emër të protestës së studentëve, duke strehuar, pajisur dhe instruktuar grupet e molotovit.
Kapja dhe përçudnimi i protestës së studentëve nga Partia Demokratike, duke e kthyer në një fantazmë të 14 shtatorit ’98, ka gjasa ta forcojë më tej pushtetin e Edi Ramës. Rrudhja e pjesëmarrësve si distancim nga dhuna dhe dënimi i dhunës nga SHBA-BE është një mesazh i qartë, ndonëse një përgjigje më pezmatuese pritet të jetë rezulati i zgjedhjeve lokale.
©Shqip.com