36 gra janë dhunuar për 6 muaj në Kosovë

36 gra janë dhunuar për 6 muaj gjatë këtij viti në Kosovë.
Kjo u bë e ditur në një përgjigje me shkrim për SHQIP.com nga Policia e Kosovës, e cila tha se këto raste të dhunimit kanë ndodhur gjatë periudhës janar-qershor 2022.
Në anën tjetër, drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Vebi Mujku, ka thënë se të miturës që dyshohet se u dhunua nga pesë persona në Prishtinë iu është ofruar strehim dhe shërbime profesionale.
Ai për SHQIP.com ka thënë se QPS është gjatë gjithë kohës në bashkëpunim me akterët e përfshirë në këtë rast.
“Nga momenti kur jemi vënë në dijeni QPS i ka marrë të gjitha hapat dhe veprimet për të ofruar përkrahje, strehim dhe shërbime profesionale për të miturën. QPS gjatë gjithë kohës është në bashkëpunim me të gjithë akterët e përfshirë në rast bazuar në legjislacionin në fuqi dhe standardeve e procedurave”, thuhet në reagimin e tij.
Tutje, ai ka kërkuar që të ruhet identiteti i të miturve.
“Rasti është shumë i ndjeshëm, kërkojmë me shumë mirësi që në çdo postim të ruhet identiteti i të miturës viktimë dhe identiteti i të miturve të përfshirë në rast.
Ne e dënojmë këtë rast shumë të rëndë dhe njëherit sigurojmë se do të vazhdojmë të ofrojmë të gjithë përkrahjen profesionale për të miturën bazuar në nevojat e identifikuara dhe në bazë të përgjegjësive ligjore e profesionale”, përfundon Mujku.
Një vajzë e mitur është dhunuar seksualisht nga pesë persona.në parkun e lagjes “Arbëria” Prishtinë.
Ngjarja e rëndë pretendohet të ketë ndodhur pasi tre persona e kishin ndalur 11-vjeçaren e cila ishte duke ecur në park të kryeqytetit dhe më pas janë bashkangjitur edhe të tjerët.
Policia e Kosovës njofton se pas intervistimit viktima është dërguar në strehimore.
Aktualisht, janë arrestuar të gjithë personat të cilët dyshohen se kanë qenë të përfshirë në veprën penale “Dhunim” ndaj të mitures.
Për shkak të këtij rasti, më 30 gusht ka dhënë dorëheqje drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti dhe drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, Ali Gashi./SHQIP.com