Gjykata refuzon kërkesën e Prokurorisë, vendos arrest shtëpiak për menaxherët e kompanive të naftës

Për dyshimet e shmangies së taksave doganore në vlerë të mbi 700 mijë eurove, Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendos masën arrestit shtëpiak në periudhë prej një muaji për tre të dyshuarit.
Kësisoj, ka hedhur poshtë kërkesën e Prokurorisë, që të njëjtit të mbahen në paraburgim.
Në aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamentin i Përgjithshëm, të siguruar nga Shqip, thuhet se në këtë fazë caktimi i masës së paraburgimit është i paarsyeshëm.
“Gjykata pas dëgjimit të palëve dhe analizimit te kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit të datës, 19.03.2022, kundër të pandehurve F.Xh, H.H dhe J.Gj dhe konstatoi se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit është e pabazuar dhe masa adekuate në këtë fazë të procedurës është arresti shtëpiak sipas nenit 184 te KP”, thuhet në aktvendim.
Megjithëkëtë, Gjykata pranon se ekziston dyshimi se të njëjtit kanë importuar naftë dhe derivate të saj në Kosovë, në emër të Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë, për çka dokumentet dyshohet të jenë të falsifikuara.
“..rezulton se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit me dije kanë përdorur dokumente të falsifikuara, të cilat nuk kanë qenë të nënshkruara nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Greqisë dhe të cilat dokumente të rrejshme ia kane paraqitur Doganës, duke shmangur pagesën e tarifave të detyrueshme doganore dhe akcizore, me të cilat veprime ekziston dyshimi i bazuar se i kane kryer veprat penale si në dispozitiv”, thuhet në shkresë
Shqip ka raportuar gjatë ditës se në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit të Prokurorisë, menaxheri i HIB Petrol, F.Xh, dyshohet për shmangie të akcizës dhe TVSH-së, në vlerë të mbi 500 mijë eurove.
Ndërsa menaxheri i Alfa Trade, H.H, gjatë vitit 2019 dhe 2020, dyshohet të ketë arritur t’i shmanget pagesave të Doganës së Kosovës, në vlerë të mbi 100 mijë eurove.
Derisa, menaxheri i kompanisë Fer Petrol, J.Gj, gjatë vitit 2021 dyshohet të ketë arritur t’u shmanget taksave në vlerë të mbi 60 mijë eurove.