OP-ED Kolumne

1 shtatori i zymtë në Kosovë!

Xhevet Pozhari
Xhevet Pozhari

Publikuar:

Të jetosh në Kosovë sot është edhe sakrificë. Një banor i këtij vendi përpos ballafaqimit me rëndimin e kushteve për jetesë, shtrenjtimit të artikujve, mungesës së energjisë elektrike dhe me raste edhe të furnizimit me ujë të pijshëm, çdo ditë ballafaqohet edhe me zhurmën politike që na përcjellë nga mëngjesi deri në mbrëmje. Simpatizantët e njërës palë apo tjetrës janë aty për të klasifikuar secilin mendim që shprehet në opinion dhe të gatshëm për të ngjyrosur dhe përbaltur të gjithë ata të cilët mundohen ta ruajnë një copë pavarësi sa për të thënë se e vërteta qëndron diku në mes akuzave dhe kundërakuzave të cilat nuk prodhojnë asgjë për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës. Përkundrazi, veç sa e rëndojnë.

1 shtatori është shndërruar në një betejë midis sindikatave dhe Qeverisë. Nuk kursehet as e drejta e fëmijëve për t’u shkolluar. Njerëz që pushtetin e duan me çdo kusht, kanë vendosur të shkojnë deri në fund, madje edhe duke shkelur mbi të ardhmen tonë!
Derisa njëra palë kërkon me ngulm ngritje pagash, pala tjetër premton se një gjë e tillë do të ndodh së shpejti. Çështjet teknike, mosmarrëveshjet e të rriturve janë bërë targë e rëndë për brezat e rinj. Lehtësia më e madhe është të drejtosh gishtin tek njëra palë apo tjetra. Ajo që është më e rëndë dhe secili prej nesh i ik ballafaqimit është se si arritëm që ta degradojmë sistemin arsimor deri në atë masë sa sot mund të gjesh shumë të diplomuar të papunë. Dhe, kurrë nuk u bë një analizë se për çfarë kuadro ka nevojë tregu në Kosovë, pos që prodhojmë të diplomuar me njohuri të kufizuara ku zotësia më e madhe është kopjimi, e jo leximi-mësimi.

Në rrethanat e tanishme kur politika ka shfaqur kthetrat që i ka ngulur qëmoti në arsim, duke i kategorizuar në bazë të librezës partiake e jo aftësive ata që do të edukojnë brezat e ardhshme, Qeveria është pozicionuar ashpër kundër ndërprerjes së procesit mësimor. Me të drejtë! Asnjë arsye nuk do të duhej ta ndalonte të drejtën e fëmijëve për t’u shkolluar, asnjë pakënaqësi nuk do të duhej të shërbente si argument që brezave të rinj tua bëjë më të zymtë fillimin e shtatori. Por, në ditët e sotshme krejt kjo ngjan në utopi. Zhurma që prodhohet tani shërben veç për të mbuluar heshtjen e deridjshme, heshtje e cila më së shumti iu hakmerret brezave të rinj.

1 shtatori i këtij viti konsiderohet si një pikë kthese edhe në veri, kur si vend do të duhet të dëshmojmë se meritojmë shtetësi. Reciprociteti, targat, lëvizja e lirë, dialogu, marrëveshja, faktori ndërkombëtar… janë fjali që dëshmojnë brishtësinë e shtetit tonë. Edhe në këtë rast, njëjtë si në arsim, na përplaset për fytyre shuplaka e të së kaluarës, heshtja e jonë kur ku shtet u bë “parajsë” për pushtetarët dhe i pabanueshëm për qytetarët.


Si një simbiozë e kobshme, “dija e kontrabanduar përmes diplomave” sot bëhet përcaktuese përballë atyre që në të kaluarën funksionuan sipas logjikës: Nëse një popull dëshiron ta lësh pa të ardhme, shkatërroja arsimin! Dhe, mbase edhe ia kanë arritur qëllimit. Dhe, çkado që të themi, tashmë është vonë. E vetmja gjë që na mbetet është të mbështetemi në mëshirën e Zotit me shpresën se do të na fal mëkatin kolektiv – pandjeshmërinë ndaj fatit të brezave të rinj.

*Qëndrimet e autorit nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimet e redaksisë./Shqip.com