Lajme

Zgjedhja e Kryeprokurorit, vjen reagimi i fundit nga Presidenca

Presidenca e Kosovës.
Presidenca e Kosovës.

Emërimi i Kryeprokurorit të Shtetit po vazhdon të jetë temë diskutim tash e sa kohë. Në lidhje me këtë çështja “topi” po qëndron në dorën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Në një përgjigje për Shqip.com nga Presidenca thonë se më përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në vazhdimësi është angazhuar për ndërmarrjen e veprimeve që rrisin besimin e qytetarëve në institucionet e vendit, duke përfshirë sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës dhe sistemin prokurorial si një hallkë qendrore të këtij sistemi.

‘Procedurat e zhvilluara në Këshillin Prokurorial të Kosovës për propozimin e kandidatit për Kryeprokurorit të Shtetit, siç tashmë jeni të informuar edhe nga organizata dhe vëzhgues të pavarur vendor, është përcjellë me raportime e reagime për parregullsi të shumta. Po ashtu, shqetësime lidhur me mbarëvajtjen e procedurave të zhvilluara në KPK-ja, janë shprehur publikisht edhe nga partnerët ndërkombëtarë, të cilët në vazhdimësi kanë mbështetur ndërtimin dhe zhvillimin e sistemit prokurorial në vendin tonë”, thotë Bekim Kupina, këshilltar për media në Presidencë.

Lexo edhe:
Presidentja nuk e dekreton Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit pa u konsultuar me organizatat

Sipas Kupinës, lidhur me procedurën e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, janë zhvilluar procese gjyqësore në gjykatat e rregullta përkitazi me kontestimin që i është bërë procedurës së zhvilluar në KPK, për propozimin e Kryeprokurorit të Shtetit.

“Presidentja konsideron se në dritën e vërejtjeve dhe kontestimeve serioze që i janë bërë procedurës së zhvilluar në KPK, është e nevojshme që të pritet shterimi i të gjitha mundësive dhe afateve kushtetuese dhe ligjore që palët kanë për të adresuar në rrugë gjyqësore të gjitha pretendimet për parregullsi dhe shkelje ligjore që janë ngritur lidhur me këtë procedurë, duke përfshirë edhe afatin për të proceduar lëndën në Gjykatën Kushtetuese”, thotë Kupina.

Lexo edhe:
KPK voton Blerim Isufaj për Kryeprokuror të Shtetit

“Dëshiroj të vëjë në dukje se nuk ekziston asnjë pengesë  kushtetuese dhe ligjore që, derisa të vendoset çështja e emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit të ushtrojë të gjitha kompetencat dhe të kryej të gjitha veprimet e nevojshme, që bien brenda kompetencave të Kryeprokurorit të Shtetit”, ka shtuar më tutje Kupina.

Kupina thotë se Presidentja si garantuese e funksionimit kushtetues të institucioneve kushtetuese, rikonfirmon përkushtimin e saj për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, brenda afateve dhe autorizimeve të saja kushtetuese, që kontribuojnë në pavarësinë dhe integritetin e sistemit prokurorial dhe që forcojnë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

/Shqip.com