Lajme

Presidentja nuk e dekreton Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit pa u konsultuar me organizatat

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Zyra e Presidentes, të premten e 8 prillit, e ka pranuar propozimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për emërimin e Blerim Isufajt si Kryeprokuror të Shtetit.

Kështu ka thënë për SHQIP.com, Bekim Kupina këshilltar i presidentes, Vjosa Osmani.

Zyra e Presidentes ka konfirmuar gjithashtu se nuk do ta dekretojë Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit pa analizuar dokumentacionin e pranuar dhe pa u konsultuar me organizatat që e kanë mbikëqyrur procesin e përzgjedhjes së tij.

“Duke ditur rëndësinë e këtij procesi, Zyra e Presidentes ka filluar të shqyrtojë dhe analizojë në detaje të gjithë dokumentacionin e pranuar, të gjitha faktet dhe rrethanat që ndërlidhen me këtë proces. Presidentja është në komunikim me palët e interesit dhe në ditët në vijim do të takohet me përfaqësuesit e organizatave që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes se Kryeprokurorit për të dëgjuar vërejtjet e tyre mbi mbarëvajtjen e këtij procesi”, thotë Kupina.

E para e shtetit, thekson se kandidati i propozuar duhet të plotësojë edhe kriterin e integritetit mes tjerash.

“Presidentja nënvizon se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit duhet të jetë kredibil dhe me integritet të plotë për të siguruar që besimi i qytetarëve ndaj Prokurorisë se Shtetit nuk dëmtohet. Po ashtu, Presidentja ka theksuar se kandidati i propozuar duhet të plotësoj gjitha kërkesat ligjore, duke përfshirë edhe atë të integritetit”, thuhet në përgjigjen për SHQIP.com.

Lexo edhe:
KPK voton Blerim Isufaj për Kryeprokuror të Shtetit

Theksojmë se më 6 prill, Këshilli Prokurorial me 11 vota pro ka nominuar Blerim Isufajn për kryeprokuror të ri të Shtetit.

Shefi i zyres së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, është shprehur i zhgënjyer nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.

Szunyog ka shkruar se BE-ja në vazhdimësi ka thirrur për një proces të drejtë dhe meritor.

“Përkundër thirrjeve të vazhdueshme të Bashkimit Europian për të siguruar një zgjedhje të drejtë transparente dhe të bazuar në merita për Kryeprokuror të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës e përmbylli procesin e përzgjedhjes duke shpërfillë këto parime. Jemi të habitur dhe të zhgënjyer me këto veprime të KPK-së”, ka shkruar Szunyog në ‘Twitter’.

Përveç shefit të BE-së, kundë kanë dalë edhe tri organizata joqeveritare të Kosovës.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL, i kanë kërkuar presidentes së vendit, Vjosa Osmanaj që të mos e dekretojë Isufajn.

“Ky propozim për emërim të Blerim Isufajt si Kryeprokuror i Shtetit bëhet nga Këshilli Prokurorial megjithëse organizatat kyçe të vendit që merren me monitorimin e sistemit të drejtësisë, kishin tërhequr vërejtjen se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit kishte një varg mangësish të cilat cenonin integritetin e procesit”, thuhet në komunikatën e organizatave./Shqip.com

/Shqip.com